Boksierja algjeriane Imane Khelif ngriti një padi në Francë për shkak të abuzimit që përjetoi në rrjetet sociale gjatë Lojërave Olimpike në Paris. Khelif fitoi medaljen e artë olimpike në Paris në kategorinë deri në 66 kilogramë, por betejat që ajo zhvilloi në ring ishin të lehta në krahasim me ato që zhvilloi jashtë ringut.
Ajo është kritikuar për faktin se ishte një ‘burrë’ pasi Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) e përjashtoi nga Kampionati Botëror i vitit 2023 dhe e ndaloi nga Lojërat Olimpike. Megjithatë, ajo u shfaq në Paris sepse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ndërpreu bashkëpunimin me IBA dhe e lejoi atë të ndeshej në kompeticionin më të madh sportiv në botë.
Së fundmi bëhet e ditur se ajo ka nisur një rrugë gjyqësore ndaj dy personazheve të njohur, të cilët e kishin akuzuar publikisht, Elon Musk dhe JK Rowling, ndërsa një emër i përmendur është dhe ai i Donald Trump.
Avokati i Khelif, Nabil Boudi tha për Variety se:
JK Rowling dhe Elon Musk janë përmendur në padi, ndër të tjera. Trump shkroi në Twitter, kështu që pavarësisht nëse ai përmendet apo jo në padinë tonë, ai në mënyrë të pashmangshme do të shqyrtohet si pjesë e kësaj. Ajo që ne kërkojmë është që prokuroria të hetojë jo vetëm këta persona, por këdo që e ndjen të nevojshme. Nëse çështja shkon në gjykatë, ata do të dalin në gjyq.
Algjeriania ka lindur femër dhe nuk identifikohet si transgjinore apo interseks, por Khelif u përball me kritika në mediat sociale nga një numër figurash publike duke thënë se ajo është mashkull dhe nuk duhet të marrë pjesë.
Autorja e Harry Potter-it, Rowling, sulmoi Khelif pas fitores së saj ndaj boksieres italiane Angela Carini. Kjo e fundit e la ndeshje e raundit të 16 vetëm pas 46 sekondash, duke refuzuar t’i shtrëngonte dorën Khelifit dhe duke pretenduar se ajo kurrë nuk ishte goditur aq fort.
Pronari i Twitter dhe Tesla, Musk, ndau një postim rreth Khelif duke pretenduar se burrat nuk i përkasin sporteve të grave. Dhe Trump postoi një foto nga lufta Khelif-Carini me mbishkrimin: “Unë do t’i mbaj burrat jashtë sporteve të grave!”.