Pak pas blerjes së shërbimit të mesazheve të shkurtra Twitter për një shumë prej 44 miliardë dollarësh, miliarderi Elon Musk nuk e përjashton mundësinë e falimentimit të kësaj platforme online.
Sipas mediave, gjatë një mbledhjeje me punonjësit e Twitter-it Elon Musk paralajmëroi se vitin e ardhshëm në buxhetin e kësaj firme mund të ketë humbje prej miliarda dollarësh dhe nëse nuk fitojnë më shumë para’ nga sa shpenzojnë, falimentimi është i pashmangshëm.
Twitter kishte nisur të shënonte humbje kohët e fundit para marrjes nën kontroll nga Elon Musk. Pas blerjes, Musk u ankua për një rënie të të ardhurave, pasi disa kompani të mëdha ulën sasinë e reklamave ose i ndërprenë plotësisht. Kompanitë shprehën shqetësimin se nëse Twitter zbut rregullat mbi përmbajtjen, siç parashikon Elon Musk, reklamat e tyre mund të shfaqen bashkë me lajme të papërshtatshme. Gjithashtu, shërbimi i mesazheve të shkurtra ka një hua prej rreth 13 miliardë dollarësh që Elon Musk mori borxh për blerjen e tij.
Gjendje “e keqe”
Në një email drejtuar punonjësve Musk shkruante për situatë të keqe, sidomos për një kompani që varet nga të ardhurat prej reklamave. Deri tani këto përbëjnë rreth 90% të të ardhurave të Twitter-it. Për të gjeneruar më shumë të ardhura, Twitter do të ofrohet me një model abonimi me shenjën e lakmuar të verfikimit nga ana e Twitter-it.
Sipas Elon Musk-ut, gjithashtu kompania ka shumë punonjës. Javën e kaluar ai njoftoi se do të përgjysmojë numrin e vendeve të punës në Twitter, ku aktualisht janë të punësuar 7 mijë e 500 vetë.
Kaos me shenjën e Twitter-it
Shenjën e lakmuar të verfikimit nga ana e Twitter-it, deri tani u lejohej ta përdornin kryesisht personalitet e famshme, politikanë dhe kompani, pasi ishte kryer procesi i duhur i verifikimit. Tani, simbolin e verifikimit mund ta blejë kushdo që paguan tetë dollarë në muaj. Musk mori një paralajmërim të fortë nga Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Konsumatorëve FTC.
Ne po i ndjekim me shqetësim të madh zhvillimet e fundit në Twitter. Asnjë kompani apo shef i saj nuk është mbi ligjin!
Disa përdorues e përdorën ofertën e re për të krijuar llogari të rreme duke kopjuar atë të ish-presidentit amerikan Donald Trump, yllit të basketbollit LeBron James e të kompanisë së lojërave Nintendo.
Pre e lajmeve të rreme nga llogari të tilla u bë edhe kompania farmaceutike Eli Lilly, e cila u kërkoi falje përdoruesve të Twitter-it, që përmes një mesazhi nga një llogari e falsifikuar kishin marrë lajmin se në të ardhmen, insulina do të shpërndahej pa pagesë.