Bota

Turqia nis në hapësirë satelitin e parë të prodhuar vetë, Erdogan: I kemi sjellë komunikimet tona në nivel më të sigurt !

Turqia nisi në hapësirë satelitin e parë të komunikimeve, Turksat 6A, të prodhuar vetë.

Një raketë e kompanisë SapceX e barti atë nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral, në Floridë të SHBA-së.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se nisja e këtij sateliti në hapësirë shënon një “faze të re” për Turqinë në prodhimin e satelitëve.

“Si Turqi, ne kemi prodhuar më shumë se 81% të nënsistemeve, stacioneve tokësore satelitore dhe softuerëve në projektin 6A, i cili ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit tonë në hapësirë, me burime kombëtare”, tha Erdogan.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Turqisë, Abdulkadir Uraloglu, tha se sinjali i parë nga Turksat 6A është marrë 67 minuta pas nisjes së tij, ashtu siç ka qenë e planifikuar.

“Ne i kemi sjellë komunikimet tona, transmetimet tona televizive në një nivel më të sigurt dhe më të mirë”, tha ai, duke shtuar se Turksat 6A tani do t’i mundësojë Turqisë të arrijë edhe në Indi, Indonezi, Malajzi dhe Tajlandë.

Uraloglu tha se Turksat 6A është rezultat i një përpjekjeje 10-vjeçare për të prodhuar satelit vendor. Me këtë hap, Turqia është bërë një nga 11 vendet që e kanë arritur këtë, tha Uraloglu.