Bota

Turqia mbështet Mark Rutte për postin e kreut të NATO-s!

Turqia u ka thënë aleatëve të saj në NATO se Ankaraja do të mbështesë kandidaturën e kryeministrit aktual të Holandës, Mark Rutte, për të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm të aleancës ushtarake perëndimore, tha një zyrtar i lartë turk.

Zyrtari tha se Turqia ka njoftuar diplomatët e aleancës në Bruksel të hënën për këtë zhvillim. Vendimi u bë publik pasi tre ditë më herët Rutte qëndroi në Turqi për të kërkuar mbështetje për kandidaturën e tij nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Zyrtari që njoftoi për këtë lajm foli në kushte anonimiteti në linjë me protokollin e Qeverisë turke.

Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, është afër përfundimit të mandatit të tij. Ai ka qenë në krye të NATO-s që nga viti 2014.

Aftësia e Jens Stoltenberg për të krijuar konsensus dhe për të negociuar është përmendur shpesh si një cilësi që i duhet shefit të aleancës ushtarake. Zgjedhja në postin e Sekretarit të Përgjithshëm më 1 Tetor të vitit 2014 në krye të NATO-s u mirëprit edhe nga ish-shefi i NATO-S, Anders Fogh Rasmussen.

Stoltenberg e mori postin në një kohë të vështirë  për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia që kishte rritur tensionet midis Perëndimit dhe Moskës.

Një vit më vonë shefi i ri do të vizitonte Ukrainën. Diplomatët ukrainas thanë se vizita dy-ditore e Stoltenberg paraqiste një rëndësi të madhe simbolike për vendin në përpjekjet e tij për integrimin perëndimor përballë një rebelimi pro-rus në territoret lindore.