Aktualitet Bota Rajoni

Turqia do e mbrojë Kosovën, ministri i jashtëm: Kosovarët janë vëllezërit tanë!

Turqia i jep garanci sigurie Kosovës përballë kërcënimeve që mund të shfaqen në rajon. Këtë mesazh solli në Prishtinë ministri i Jashtëm i Ankarasë, Hakan Fidan, që u prit nga homologia, Donika Gërvalla.

Kjo e fundit, në konferencën për shtyp akuzoi Serbinë se qëndron pas përpjekjeve për destabilizim të Kosovës.

“Ne e shohim Serbinë si një rrezik real për stabilitetin rajonal. Kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare sot janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste dhe veprimeve konkrete destablizuese të Serbisë. Sovraniteti i Kosovës nuk është i diskutueshëm. Jemi të vendosur që në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, përfshirë edhe Turqinë, ta vazhdojmë ta ruajmë paqen në Kosovë”, tha Gërvalla.

Ministri Fidan shprehu gatishmërinë e Ankarasë për të marrë një rol në dialogun Prishtinë-Beograd.

Ai nuk dha shumë detaje për marrëveshjen e firmosur në fushën e sigurisë, por nënvizoi se nuk ka gjë më natyrale se sa mbështetja e Turqisë për Kosovën.

“Ne si Turqi duhet të jemi të gatshëm të ndihmojmë për të gjitha aspektet e sigurisë. Për ne s’ka gjë më normale sesa ta mbështesim Kosovën, kjo do të vazhdojë edhe në shumë fusha tjera. Kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por janë edhe vëllezërit dhe motrat tona. Lidhjet e palëkundura mes nesh t’i pasurojmë në marrëdhëniet tona dypalëshe në mënyrë më të mirë të mundshme. Qëllimi ynë është që të sjellim një vizion strategjik gjithëpërfshirës. Sigurinë, politikën, ekonominë i konsiderojmë tri shtyllat kryesore të bashkëpunimit tonë”, tha Fidan.

Gërvalla e konsideroi të papranueshme tërheqjen e pjesshme dhe jo të plotë nga ana e Serbisë të letrës së dërguar në Bashkimin Europian me të cilën refuzonte marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksin e Ohrit.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Prishtinë, ministri i jashtëm i Turqisë është takuar me presidenten Vjosa Osmani, gjithashtu edhe me kryeministrin Albin Kurti.