“Hurriyet Daily News” raporton se një flaut 1600-vjeçar i bërë nga një kockë bagëtie dhe një unazë bronzi është zbuluar në Turqinë juglindore, në Kështjellën Zerzevan, një strukturë e ndërtuar për herë të parë në shekullin e katërt pas Krishtit.
Profesor Aytaç Coşkun, drejtuesi i gërmimeve, tha se flauti ishte i rëndësishëm pasi tregonte se njerëzit që jetonin në kështjellë, e cila ishte një vendbanim ushtarak, kishin interes për artin dhe muzikën.
Unaza me çelës, e cila përdorej për të hapur një sënduk ku mbante sende shumë të veçanta, daton gjithashtu në shekujt e katërt dhe të pestë të erës sonë.
Kalaja historike, e cila është shtëpia e tempullit të Mithras, ndodhet në një sipërfaqe prej 60,000 metrash katrorë. Coşkun tha se zbuluan edhe artefakte shumë të rëndësishme gjatë gërmimeve që kanë vazhduar që nga viti 2014. Rikujtojmë, se një grup arkeologësh në Peru kanë zbuluar trupin e një mumie, që mund të jetë 800-vjeçare. Kjo mumie para-inkase u zbulua në kompleksin arkeologjik të Cajamarquilla, që ndodhet në lindje të Lima-s.
Mumia u gjet në një pozicion të mbledhur dhe e lidhur me litarë në të gjithë trupin. Pranë saj u gjetën edhe objekte të tjera si tenxhere dhe poçe prej qeramike. Sipas mediave lokale, arkeologët shpresojnë se ky zbulim do të hedhë dritë mbi kulturën Chaclla. Vlen të përmendim se një shpatë që besohet se i përkiste një kryqtari i cili po lundronte drejt Tokës së Shenjtë thuajse 1000 vite më parë, është nxjerrë nga thellësitë e Detit Mesdhe, falë syrit të mprehtë të një zhytësi amator.
Lajmin e konfirmoi Autoriteti Izraelit i Antikiteteve. E mbështjellë plotësisht nga guaska dhe organizma të tjerë detarë, shpata një metër e gjatë u dallua për shkak të rrymave të forta që kishin larguar rërën me të cilën kishte qëndruar e mbuluar për një kohë të gjatë.