1200 pasagjerë dhe 300 automjete kanë mbërritur këtë mëngjes në portin e Vlorës me tre tragete të linjës Brindisi-Vlorë, dhe bashkë me tragetin që mbërrin në mbrëmje, numri i pasagjerëve arrin në 1600 në 24 orë. Pritshmëritë janë edhe më të mëdha gjatë fundjavës dhe vizitorët janë kryesisht italianë.
‘Gushti ka filluar mirë, ne jemi në shifrat e vitit të kaluar dhe çdo ditë 50% pothuajse janë të huaj dhe pjesa tjetër shqiptarë. Ka dhe nga kombësit e tjera si, Grek, Turq, Spanjoll, etj.’- tha shefi Festim Skendaj, shef i përpunimit të trageteve në Portin e Vlorës.
Turistët thonë se kanë zgjedhur Vlorën pasi kanë mësuar për plazhet e bukura që ofron, kulinarinë dhe mikpritjen.
‘Kam ardhur nga Brindisi, është hera e katër që vij në Vlorë për pushime. Jemi gjendur gjithmonë mirë. Do të qëndrojmë në Vlorë , më pas do të shikojmë të lëvizim edhe diku tjetër.’- u shpreh një turiste.
‘Vijmë nga Leçe. Është hera e parë që vijmë në Vlorë. Kemi dëgjuar gjëra të mira dhe na kanë këshilluar për të ardhur këtu. Hahet mjaft mirë , sidomos peshku. Do të qëndrojmë në Vlorë, kemi këtu edhe miq të tjerë që kanë ardhur para nesh dhe janë duke na pritur. ‘- tha një turist.
‘Vijmë nga Brindisi, duket që këtu është shumë nxehtë. Jemi kuriozë të zbulojmë gjithçka. Disa miq tanë kanë ardhur vitin e kaluar edhe kanë folur mjaft mirë për vendin tuaj. Na kanë këshilluar disa vende për ti vizituar dhe do të qëndrojmë për tre ditë këtu.’- tha një turist.
Jo vetëm italianët por vizitorë nga mbarë bota, presin të eksplorojnë natyrën e mrekullueshme dhe plazhet e bukura të rivierës shqiptare.