Në vijim të turit ballkanik që në mesjavë nisi me vendin tonë e që vijoi me Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë, sot presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen qëndron për vizitë në Kosovë si pjesë e ndalesave në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e ekzekutivit europian në angazhimin për afrimin e rajonit drejt Bashkimit Europian. Turi i saj mbyllet pasdite me Malin e Zi.
Ursula Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar në krye të Komisionit Europian do të ketë takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti. Para nisjes së vizitave, zyrtarja e lartë vuri në dukje se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore. Për këtë ka caktuar një komisionere.
Të premten e kaluar, Bashkimi Europian miratoi axhendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor e që ato i paraqitën si një kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes në vlerë 6 miliardë euro. Teksa aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian më 15 dhjetor 2022, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që ende nuk e ka statusin e kandidates.
2 nga shuma 6 miliardë euro e Planit të Rritjes do të jenë para pa kthim ndërsa pjesa tjetër, në formë të kredive të favorshme. Në raport me çdo banor, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi shteti pritet të marrë më shumë se 820 milion euro.
Dje në Serbi, Ursula Von der Leyen u takua vetëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, si dhe anuloi takimin me kryeministrin e vendit Millosh Vuçeviç, i cili po dje takoi ministrin rus të Zhvillimit Ekonomik, Maksim Reshetnikov. Bashkimi Europian vazhdimisht e ka kritikuar Serbinë për lidhjet e ngushta me Kremlinin në kohën kur Moska po vazhdon luftën kundër Ukrainës, të nisur në shkurt të vitit 2022. Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar nuk po pranon të rreshtohet përkrah Bashkimit Europian sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, si ndëshkim po për shkak të luftës me Ukrainën.