Nga Sarajeva ku vijoi turin ballkanik për Procesin e Berlinit, kryeministri Rama njoftoi qëllimin për të hapur ambasadën shqiptare në kryeqytetin e Bosnjës. Në konferencën për shtyp me kryeministren Borjana Kristo deklaroi:
Dëshirojmë t’i forcojmë marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën dhe e informova se do të hapim ambasadën shqiptare këtu. Këtu jeton një komunitet shqiptar dhe mua më vjen mirë që edhe ai boshnjak në vendin tonë i ka të garantuara të gjitha të drejtat në ligjin e minoriteteve të Republikës së Shqipërisë.
Ne jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe lëvizja e lirë të mundësohet për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës sepse politika duhet t’u shërbejë qytetarëve, pa dallim.
Dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje, edhe Bosnjë-Hercegovina do ta bëjë këtë gjë. Nga ana tjetër, erdha këtu për të informuar për atë që duam të bëjmë në samitin e Procesit të Berlinit të tetorit në Tiranë.
Rama tha se në Samitin e Berlinit do të marrë jetë plani i një financimi të ri nga vendet e Bashkimit Europian e Ballkanit. Ai vuri në dukje se nuk duhet një agresor, që Ballkani Perëndimor të marrë më shumë mbështetje nga BE-ja, por se kërkohet një qasje e re, për të lënë pas të shkuarën.
Kryeministrja Kristo u shpreh:
Kemi informuar kryeministrin lidhur me masat e marra, iniciativat për Procesin e Berlinit e takimin që do të zhvillohet në Tiranë. Dy nisma nuk kemi arritur t’i bëjmë dhe ende nuk jemi të gatshëm, lidhur me lëvizjen e lirë ndërmjet shteteve e tregun e përbashkët. Por, po punojmë që të bëhen realitet.
Në Sarajevë, kryeministri Rama është takuar dhe me presidentin e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Bećirović. Podgorica është ndalesa e radhës e shefit të qeverisë në ditën e dytë dhe të fundit të turit rajonal që dje nisi me Shkupin e Prishtinën, ndërsa sot mbyllet me Beogradin.