Reperi legjendar, Tupac Shakur, më në fund do të bderohet me një yll në Hollywood Walk of Fame, më shumë se 26 vite pas vdekjes së tij. Ai do të nderohet gjatë një ceremonie të planifikuar për datën 7 qershor, kur do të zbulohet edhe ylli i tij.
Dhoma e Tregtisë në Hollywood konfirmoi për LA Times se reperi do të marrë një nderim pas vdekjes, ndërsa ylli i tij do të jetë i 2.758 në Walk of Fame. Tupac ka lindur në New York dhe kishte një ndikim të madh në Hip-Hop, veçanërisht në skenën e repit të Bregut Perëndimor.
Sekyiwa Shakur, motra e reperit të famshëm, do ta pranojë nderimin në emër të tij dhe ceremonia do të udhëhiqet nga drejtuesi i radios në Los Angeles, Big Boy, derisa regjisori Allen Hughes dhe shkrimtari Jamal Joseph do të mbajnë fjalime. Shakur, i cili njihet në skenë si 2Pac, publikoi albumin e tij të parë në vitin 1991 dhe që atëherë ka shijuar suksesin e hiteve të tij duke përfshirë “California Love”, “All Eyez on Me”, “Changes” e “I Ain’t mad at Cha”. Ai ndërroi jetë më 13 shtator 1996, pasi u qëllua katër herë në Las Vegas, në moshën 25-vjeçare.
Rikujtojmë se, legjenda e ndjerë e Hip-Hopit Tupac Shakur do të nderohet me një emër rruge në Kaliforni, pas një votimi unanim nga këshilli i qytetit. Sipas vendimit, një shtrirje e bulevardit MacArthur pranë Liqenit Merritt ku Shakur ka jetuar dikur do të mbajë emrin e tij ekzistues, por gjithashtu do të marrë emrin shtesë, nderi të Tupac Shakur Way. Fondacioni Tupac Shakur do të mbulojë kostot për pllakat dhe shenjat përkujtimore që sinjalizojnë ndryshimin.