Bota

Trupat e Koresë së Veriut në Rusia, Seuli kërkon sqarime nga Moska!

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut thirri në bisedime ambasadorin rus në Seul, për të protestuar për atë që e quajti “dislokim i trupave të Koresë së Veriut në Rusi, për t’i dërguar më pas në Ukrainë”. Gjithashtu u zotua për një përgjigje të përbashkët ndërkombëtare. Zv.ministri i Jashtëm koreano-jugor, Kim Hong-kyun thirri në takim Georgy Zinoviev, të dërguarin rus në Seul dhe i kërkoi tërheqjen e menjëhershme të ushtarëve të Koresë së Veriut nga Rusia. Lajmi bëhet i ditur nga ministria.

Kim tha se “pjesëmarrja e trupave të Koresë së Jugut në luftën në Ukrainë përbën një shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara e Kartës së OKB-së”.

Po ashtu, kjo përbën kërcënim serioz për sigurinë e Koresë së Jugut e të shteteve të tjera. Ne dënojmë fuqishëm bashkëpunimin ilegal ushtarak të Koresë së Veriut, përfshirë dislokimin e trupave në Rusi, citohet të ketë thënë Kim, referuar Ministrisë së Jashtme.

Ne do të përgjigjemi së bashku me komunitetin ndërkombëtar duke mobilizuar të gjitha mjetet që kemi kundër akteve që kërcënojnë interesat tona kyçe të sigurisë.

Ministria deklaroi se “Zinoviev i tha Kim-it se këtë mesazh do t’ia dërgojë Moskës”. Javën e kaluar, agjencia e Spiunazhit e Koresë së Jugut raportoi se Koreja e Veriut ka dërguar 1.500 pjesëtarë të forcave speciale në Lindjen e Largët të Rusisë për trajnime në një bazë lokale ushtarake e me shumë mundësi, ata do të dislokohen për luftime në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka akuzuar Phenianin se po përgatitet të dërgojë 10.000 ushtarë në Rusi dhe dje bëri thirrje për reagim të fortë.  Këshilli për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk ka konfirmuar raportimet se ushtarët e Koresë së Veriut po luftojnë për Rusinë, siç thanë zyrtarët amerikanë javën e kaluar, por shtuan se nëse këto raportime dalin të vërteta, “ky do të shënonte zhvillim të rrezikshëm në luftën e Rusisë kundër Ukrainës”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, thanë se “aktualisht nuk kanë dëshmi për praninë e Phenianit”. Koreja e Jugut u konsultua me Uashingtonin para se agjencia e Spiunazhit të bënte njoftimin.

Si Rusia, ashtu edhe Koreja e Veriut kanë mohuar se dërgojnë armë te njëra-tjetra, por janë zotuar për forcimin e raporteve ushtarake. Në qershor nënshkruan një traktat të përbashkët të mbrojtjes. Kremlini nuk pranon vlerësimin e Koresë së Jugut se Veriu ka dërguar personel ushtarak për të ndihmuar Rusinë në luftën me Ukrainën.