Me presidencialet amerikane te “dera”, sërish Donald Trump po ngjall frikë në mesin e mbështetësve të tij dhe jo vetëm pasi pa fakte po pretendon se e vetmja mënyrë për të humbur zgjedhjet e 5 nëntorit është “vjedhja e votave”. Kjo tingëllon e njohur pasi është i njëjti pretendim që pati edhe katër vjet më parë kur presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e mundi në votimet e nëntorit 2020, edhe pse Trump e shumë nga mbështetësit e tij ende refuzojnë të pranojnë humbjen e pësuar.
E vetmja gjë që mund të na ndalojë është mashtrimi, theksoi Trump.
Në një tubim në Arizona, Donald Trump pretendoi se ai po udhëheq në secilin nga shtatë shtetet kryesore që do të vendosin zgjedhjet.
Unë udhëheq në çdo shtet.
Nga ana tjetër, “Washington Post” raportoi se mes votuesve që tashmë i kanë hedhur votat e tyre, rivalja e tij demokrate, Kamala Harris qëndron në krye të sondazheve. Anketimet e fundit kombëtare të atyre që kanë votuar më herët, i japin Harris-it një epërsi prej 19 e 29 pikësh ndaj Trump-it.
Këto shifra janë më të ulëta se ato të Biden-it gjatë zgjedhjeve të vitit 2020, kur më shumë votues amerikanë hodhën votat e tyre herët për shkak të koronavirusit, por më të larta se ato që u panë për Hillary Clinton-in në vitin 2016. Në një bisedë me prezantuesin e krahut të djathtë, Tucker Carlson, Donald Trump pretendoi se “disa përpjekje mashtrimi ishin zbuluar tashmë” por pa dhënë asnjë provë.
Demokratja Harris e republikani Trump janë në garë dhe ditët e fundit po përpiqen të bëjnë për vete ata që ende mund të jenë të pavendosur e për të mobilizuar pjesëmarrjen në votime të bazës së tyre. Zgjedhjet mbahen të martën e javës së ardhshme e në veçanti, ish-presidenti amerikan po përpiqet të “vizatojë” tablonë e zymtë të një Amerikë në rënie dhe që ka nevojë për rikthimin e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Fushata e demokrates Harris ka hasur vështirësi që të shtojë mbështetjen mes votuesve meshkuj ndërsa komentet e republikanit Trump për gratë kanë rritur hendekun e përkrahjes për të. Ndalesat më të fundit të Harris-it ishin Las Vegas dhe Reno-ja e Nevadës, shtet fushëbetejë.