Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, bëri të ditur se ai ka vendosur që të rikthejë në administratën e re të Shteteve të Bashkuara, zyrtarin me qëndrim të ashpër kundër emigracionit, Tom Homan, për të mbikëqyrur kufijtë shtetërorë në administratën e ardhshme.
Republikani 78-vjeçar u zotua se që në ditën e parë të presidencës së tij, pra në gjysmën e dytë të janarit 2025, ai do të nisë operacionin më të madh në historinë amerikane, duke dëbuar emigrantët që nuk kanë dokumente.
Jam i lumtur të njoftoj se ish-drejtori i Kontrollit Kufitar, Tom Homan do t’i bashkohet administratës Trump, i angazhuar për kufijtë kombëtarë (Cari kufitar), shkroi presidenti i zgjedhur Donald Trump në platformën sociale, Truth Social. Unë e njoh Tomin prej një kohe të gjatë, nuk ka asnjë njeri që mund të kontrollojë më mirë kufijtë tanë.
Po ashtu, nga Trump u raportua se zyrtari Homan do të jetë i angazhuar për “dëbimin e të huajve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara duke i rikthyer në vendlindje. Siç dihet tashmë, ish-presidenti amerikan i ka fituar bindshëm zgjedhjet e 5 nëntorit të këtij viti ndërsa gjatë fushatës zgjedhore e ka përsëritur disa herë se do t’i dëbojë emigrantët pa dokumente dhe ka çuar përpara një retorikë të dhunshme për ata që siç u shpreh “helmojnë gjakun” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndonëse qeveritë amerikane në administratat e kaluara kanë patur probleme prej vitesh me radhë në menaxhimin e kufirit jugor me Meksikën, Donald Trump i ka rritur edhe më shumë shqetësimet, duke pretenduar se është duke ndodhur një “pushtim” i SHBA-ve nga emigrantët, të cilët sipas tij “do t’i dhunojnë dhe vrasin amerikanët”.
Megjithatë, statistikat tregojnë se dhuna dhe krimi në këtë zonë kufitare, që ishin rritur gjatë administratës së parë të Trump-it, janë zvogëluar vit pas viti në administratën aktuale të presidentit në largim të Amerikës, Joe Biden.