Pasi përsëriti premtimet për ngritjen e murit në kufirin jugor, vendosjen e tarifave në dogana ndaj mallrave të huaja, rritjen e nxjerrjes së naftës nga nëntoka, Donald Trump kritikoi drejtpërsëdrejti presidentin Biden, emrin e të cilit u zotua se nuk do ta përmendte më gjatë fjalimit.
Nëse do të merrnim dhjetë presidentët më të këqinj amerikanë, ata së bashku nuk do të kishin shkaktuar dëmin që ka shkaktuar Biden. Së bashku do të jemi sërish një komb madhështor. Qoftë nëse më keni mbështetur apo jo… Me shumë përulje ju kërkoj të jeni të lumtur për të ardhmen e vendit tonë.
Ndërkaq, premtoi veprime të vendosura për të luftuar inflacionin.
Duhet t’i lehtësojmë ekonomikisht qytetarët tanë, duke filluar që nga dita e parë. Do t’i ulim çmimet dhe do ta bëjmë Amerikën sërish të përballueshme.
Ish-presidenti u zotua të anulojë disa prej politikave, si p.sh. rregulloret për makinat elektrike, nga të cilat tha se përfiton Kina dhe ndërkohë shkatërrohet industria amerikane.
Na kanë shfrytëzuar prej kohësh vende të tjera. Shpesh, madje janë vende të ashtuquajtura aleate. Nuk do të lejojmë më të vijnë dhe të grabisin vendin tonë.
Duke premtuar rifuqizimin e klasës së mesme amerikane, ish-presidenti Trump tha se kjo sidoqoftë nuk mund të arrihet nëse nuk ndalet emigracioni i paligjshëm, të cilin e quajti “pushtimin më të keq të parë në ndonjë vend tjetër të botës”.
Do ta ndalim dhe do ta ndalim me shpejtësi. Do të rikthejmë plotësisht kufijtë e shenjtë dhe sovranë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë do ta bëjmë që në ditën e parë. Duam që njerëzit të vijnë në Shtetet e Bashkuara, por duam që ta bëjnë këtë në rrugë të ligjshme.
Duke përsëritur akuzat se nga shumë vende po vijnë drejt kufijve të Amerikës persona me historik penal, sërish u zotua për të bërë operacionin më të madh të deportimit në historinë e vendit.
Do t’i mbaj djemtë dhe vajzat tona të sigurta. Rusia sulmoi Gjeorgjinë nën presidentin Obama. Rusia mori Krimenë nën administratën e tanishme. Rusia tani do të gjithë Ukrainën. Nën presidentin Trump, Rusia nuk mori asgjë.
“Eshtë shndërruar në një planet lufte”, duke përmendur Izraelin, Ukrainën dhe tërheqjen “shkatërrimtare” nga Afganistani.
Kina gjithashtu ka rrethuar Tajvanin dhe anijet e nëndetëset bërthamore ruse janë pranë bregdetit të Kubës. I jap një mesazh të gjithë botës: duam të na ktheni pengjet tona!
Përgjatë gjithë fjalimit, ish-presidenti Trump premtoi një epokë të artë në zhvillimin e ekonomisë amerikane.
Pak ditë më parë, për pak mori fund rrugëtimi im i përbashkët me ju, por ja ku jemi… Jetojmë në një botë mrekullirash… Çdo moment mbi tokë, është një dhuratë nga Zoti.
Ish-presidenti Trump e shkruajti vetë fjalimin e tij. Ndërsa republikanët pritej të dilnin më të bashkuar se nga kuvendet e tyre të viteve të fundit, demokratët vazhdojnë të përjetojnë ndasitë sa i përket rikandidimit të presidentit Biden.
Pas paraqitjes së dobët gjatë debatit me Trump-in muajin e kaluar, presidenti Biden i ka rezistuar trysnisë së shtuar për t’u tërhequr nga kandidimi, ndërsa po afron kuvendi i vetë Partisë së tij Demokrate që pritet të mbahet muajin e ardhshëm në Çikago.
Sipas një anketimi të publikuar dje nga Qendra për Studime Publike dhe agjencia e lajmeve Associated Press, gati dy të tretat e demokratëve në rang vendi mendojnë se presidenti Biden duhet të tërhiqet nga gara dhe ta lejojë partinë e tij të përzgjedhë një kandidat tjetër.
Kuvendi ofroi një pamje të Partisë Republikane të transformuar nga Trump që kur ai fitoi zemrat e elektoratit të partisë drejt emërimit si kandidat i republikanëve në vitin 2016. Ish-rivalët brenda partisë, përfshirë senatorët Ted Cruz i Teksasit dhe Marco Rubio i Floridës, ish-ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley dhe Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis shprehën mbështetjen e pakushtëzuar për ish-presidentin.
Edhe senatori Vance, i përzgjedhuri i Trump-it për të udhëhequr lëvizjen e tij në të ardhmen, dikur ka qenë kritik i ashpër, duke e krahasuar me Hitlerin. Trump nuk kishte folur në publik që prej sulmit, ndonëse ai pati bërë intervista pa praninë e kamerave.