Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump paditi Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit që po heton sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol, në një përpjekje për të bllokuar një thirrje që i kërkon atij të dëshmojë. Në një deklaratë, David A. Warrington, avokati i ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë njoftoi synimet e klientit të tij.
Precedenti dhe praktika e mbajtur prej kohësh tregojnë se ndarja e pushteteve e ndalon Kongresin të detyrojë një president të dëshmojë para tij.
Warrington u shpreh se “me Komisionin, ish-presidenti Donald Trump ishte angazhuar në një përpjekje të mirëbesimit për të zgjidhur këto shqetësime, në përputhje me privilegjet e Degës Ekzekutive, si dhe ndarjen e pushteteve”.
Paneli insiston në ndjekjen e një rruge politike, duke e lënë Trump-in pa zgjidhje e po ashtu duke e detyruar të përfshijë degën e tretë, gjyqësorin në këtë mosmarrëveshje mes pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. Komisioni Hetimor votoi për thirrjen e ish-presidentit Trump gjatë seancës së tij përfundimtare përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit për në Kongres e zyrtarisht e bëri këtë muajin e kaluar, duke kërkuar dëshmi nga ish-presidenti.
Anëtarët e komisionit pretendojnë se Donald Trump “orkestroi personalisht” një përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjev presidenciale të nëntorit të vitit 2020. Votimet e dy viteve më parë u fituan nga rivali demokrat, Joe Biden, presidenti aktual i vendit.
Anëtarët e këtij komisioni thanë se “Trump duhej të dëshmonte, ose në Kapitol ose me videokonferencë, duke filluar nga data 14 nëntor e madje duke vazhduar për shumë ditë, nëse do të ishte e nevojshme”.
Letra gjithashtu përshkruante një kërkesë për dokumente, ku të përfshiheshin komunikimet personale mes Donald Trump-it e anëtarëve të Kongresit, si dhe grupeve ekstremiste në Amerikë. Padia vjen pasi Trump pritet të nisë një fushatë të tretë për president javën e ardhshme. Ai synon të sigurojë kandidimin nga republikanët për të sfiduar kandidatin apo kandidaten demokrate, në presidencialet e pas dy viteve në Shtetet e Bashkuara.