Bota

Trump në Miluoki pas atentatit, pritet t’i konfirmohet kandidatura për president!

Dy ditë pas atentatit, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, arriti në shtetin e Uiskonsinit për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Republikane në Shtetet e Bashkuara. Të shtunën, Trump i cili synon një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë i mbijetoi një përpjekjeje për ta vrarë, gjatë një tubimi në Pensilvani. Por, kjo nuk po e pengon Konventën e planifikuar të zhvillohet nga sot e deri më 18 korrik.

Trump shkroi në mediat sociale se e konsideroi shtyrjen e udhëtimit të tij me dy ditë, por në fund,  vendosi që “të mos e lejojë një qitës ose vrasës të mundshëm, ta detyrojë të ndryshojë orarin apo diçka tjetër”.

Gazetës “Washington Examiner” i tha se gjatë aktivitetit, ai do të mbajë një fjalim që pritet të jetë “shumë ndryshe nga çfarë kishte planifikuar më parë”.

Kjo është mundësia për ta bërë gjithë vendin, madje edhe gjithë botën, bashkë.

Trump u qëllua në veshin e djathtë gjatë një tubimi në Pensilvani, të shtunën e 13 korrikut. Sulmuesi i dyshuar, Thomas Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë. Nga të shtënat u vra një pjesëmarrës në takim, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.

Gjatë Konventës Kombëtare Republikane, Trump-it pritet t’i konfirmohet nominimi i partisë si kandidat presidencial në zgjedhjet e 5 nëntorit. Ai do të garojë kundër presidentit aktual, Joe Biden, i cili duke folur nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë theksoi nevojën për bashkim pas atentatit ndaj rivalit republikan.

Sulmi ndaj ish-presidentit Trump është një thirrje ndaj të gjithëve ne, që të reflektojmë. Fatmirësisht, Trump nuk u lëndua rëndë.

Biden paralajmëroi lidhur me rreziqet e dhunës politike në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se “dhuna nuk është zgjidhje”.

Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune, për asnjë lloj dhune. Në demokracinë amerikane, argumentet paraqiten në mirëbesim. Në demokracinë amerikane, respektohet sundimi i ligjit.

Hera e tretë që Biden foli nga Zyra Ovale për të komentuar mbi çështje me rëndësi kritike për amerikanët që kur mori detyrën në vitin 2021. Tetorin e kaluar ai mbajti një fjalim mbi konfliktet në Gaza e Ukrainë, ndërsa në qershor 2023,  iu drejtua amerikanëve për një marrëveshje me republikanët lidhur me buxhetin.

Dhuna me armë është diçka që ndodh shpesh në Shtetet e Bashkuara, por dhuna politike është shumë më e rrallë. Katër presidentë amerikanë janë vrarë dhe disa u kanë shpëtuar atentateve. Shumë kandidatë presidencialë janë vënë në shënjestër, disa prej të cilëve kanë humbur jetën.

Biden dhe ekipi i tij po përpiqen të modifikojnë mesazhin e fushatës pas atentatit ndaj Trump-it. Disa orë pas atentatit, fushata e Biden-it tërhoqi reklamat televizive dhe po pezullon komunikimet e tjera politike.