Ish-Presidenti Donald Trump mbetet në qendër të politikës konservatore në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte politikani më i mbështetur në një sondazh jozyrtar për kandidatin presidencial republikan në Konferencën e Veprimit Politik Konservator, e cila u zhvillua në Dallas.
Organizatorët e quajnë Konferencën e Veprimit Politik Konservator, tubimin më me ndikim të konservatorëve në botë.
Mes folësve në konferencë ishte edhe kryeministri populist hungarez Viktor Orban.
Megjithatë, figura qëndrore ishte ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
“Amerika është në buzë të greminës dhe lëvizja jonë është e vetmja forcë në botë që mund ta shpëtojë atë”, tha ish presidenti.
Një sondazh jozyrtar tregoi se 69% e pjesëmarrësve në konferencë shpresojnë se Donald Trumpi do të kandidojë përsëri dhe 99 për qind e mbështesin atë.
“69 për qind e pjesëmarrësve duan që të kandidojë. Dhe 99% më miratojnë. Nuk e di pëse nuk mora 100 përqind mbështetje?”
Megjithatë, midis republikanëve në mbarë vendin, rezultatet janë më pak të njëanshme. Por një sondazh muajin e kaluar tregoi se gati gjysma e republikanëve do të votonin për zotin Trump nëse ai kandidonte përsëri.
Demokratët janë të entuziasmuar nga projektligji për kujdesin shëndetësor, klimën dhe taksat, që Senati miratoi të dielën, një fitore për presidentin Joe Biden.
Zoti Trump tha se projektligji do të kushtojë shumë.
“Ajo, që ata po bëjnë tani, është rritja më e madhe e taksave në historinë e vendit tonë.”
Zoti Trump kritikoi dy republikanë të moderuar që mundësuan miratimin e projektligjit në një votim përgjatë linjave partiake dhe mbështeti kandidatët e tij favoritë republikanë për në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres.
“Kthimi i Amerikës fillon këtë nëntor dhe do të vazhdojë më tej me vrullin e pandalshëm, që do të marrim në nëntor të 2024-ës, sepse ai është kryesori”, tha ish presidenti Trump.
Zoti Trump do të ketë ndikim në zgjedhjet e nëntorit, thotë një analiste, por mund të mos ketë të njëjtën mbështetje për të fituar përsëri presidencën pas dy vjetësh.
“Nuk mund të fitosh zgjedhjet e përgjithshme vetëm me republikanët. Demokratët nuk do ta mbështesin atë dhe ka tregues se të pavarurit po zhvendosen dhe po largohen nga Donald Trumpi”.
Ajo thotë se kjo ka ardhur për shkak të seancave të fundit të Kongresit mbi sulmin e 6 janarit 2021, për të cilin shumë fajësojnë Trumpin.
Por, dy herë i akuzuar për t’u shkarkuar dhe dalë i pafajshëm, ish-presidenti mbetet një forcë madhore në politikën konservatore.