Bota

Trump emëron Susie Wiles-in në postin e shefes së kabinetit!

Donald Trump bëri emërimin e tij të parë të rëndësishëm duke zgjedhur një grua, Susie Wiles, për pozicionin shumë strategjik të shefes së kabinetit, ndërkohë që pohoi se po mendonte të fliste së shpejti me presidentin rus, Vladimir Putin. Arkitektja e fushatës së republikanëve, Susie Wiles, 67 vjeçe, do të jetë gruaja e parë në këtë pozicion.

Suzie është serioze, inteligjente, krijuese, e admiruar dhe e respektuar kudo.

Donald Trump përgatitet të jetë një nga presidentët më të fuqishëm në historinë e SHBA-ve. Me 5 milion vota përpara, duket në rrugën e duhur për të fituar votën popullore kundër demokrates Kamala Harris. Në 20 vjet do të bëhet i pari republikan që e arrin këtë, duke dëshmuar se sondazhet gabuan.

Me shumicë të qartë në Kolegjin Elektoral e një hendek që mund të zgjerohet nga rezultatet në Arizona e Nevada, Donald Trump po shkon drejt një Grand Slam-i në 7 shtete kyçe amerikane. Presidenti i ardhshëm mund të mbështetet në këtë legjitimitet popullor, sidomos përballë gjyqtarëve që e ndjekin penalisht, të cilët i akuzon si “të korruptuar”.

Ndërsa ende ka rreth 30 vende për t’u ndarë nga 435 në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët po udhëheqin garën për të ruajtur shumicën. Kampi i Trump-it tashmë ka rifituar kontrollin e Senatit, Dhoma e Lartë e Kongresit. Ky organ vendimtar i pushtetit federal ka prerogativa shumë të rëndësishme, veçanërisht në emërimin ose shkarkimin e figurave kryesore në ekzekutiv apo edhe në konfirmimin e magjistratëve federalë.

Presidenti Joe Biden u zotua dje të siguronte një transferim paqësor dhe të rregullt të pushtetit me Donald Trump-in.

Unë shpresoj se ne mundemi, pavarësisht se për kë votojmë, ta shohim veten si bashkëqytetarë dhe jo si kundërshtarë.

Donald Trump do të jetë presidenti i parë që do të marrë detyrën me një dozë të rehatshme imuniteti gjatë kryerjes së detyrave. Kjo rrjedh nga një vendim historik i Gjykatës së Lartë, i dhënë më 1 korrik në rastin e ndjekjeve penale federale kundër ish-presidentit për përpjekjet e tij të paligjshme për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve të fituara më 2020-ën nga Joe Biden. Ky vendim i solli pushim Donald Trump-it, i cili i shpëtoi tre nga katër gjyqeve kriminale të bujshme. Duke u zgjedhur sërish në krye të ekzekutivit, ai do të përfitojë nga një horizont plotësisht i qartë gjyqësor.