Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të emërojë Elon Musk-un në një rol që synon të krijojë një qeveri më efikase, duke i dhënë edhe më shumë ndikim njeriut më të pasur në botë, i cili dhuroi miliona dollarë për të ndihmuar Trump-in të fitonte zgjedhjet presidenciale.
Musk dhe ish-kandidati republikan për president, Vivek Ramaswamy do të drejtojnë një departament të sapokrijuar për Efikasitetin e Qeverisë, entitet, që sipas Trump-it, pritet të operojë jashtë ekzekutivit amerikan. Përmes një deklarate, tha:
Musk dhe Ramaswamy do t’i mundësojnë administratës sime që të zhdukë burokracinë qeveritare, të zvogëlojë numrin e rregulloreve të tepërta, të shkurtojë shpenzimet e kota e të ristrukturojë agjencitë federale. Ky departament i ri do të realizojë ëndrrat e hershme të republikanëve dhe do të ofrojë këshilla e udhëzime nga jashtë qeverisë.
Trump sinjalizoi se rolet e Musk-ut dhe Ramaswamy-t mund të jenë joformale e nuk do të ketë nevojë për miratimin e Senatit për emërimin e tyre. Kjo do t’i mundësonte Musk-ut që të mbetet në krye të kompanisë së tij për makinat elektrike, Tesla, platformës sociale X e kompanisë së raketave, SpaceX.
Departamenti i ri do të punojë me Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën për Menaxhimin e Buxhetit për të drejtuar reformat në shkallë të gjerë e për të krijuar akses të formës sipërmarrëse ndaj qeverisë çka nuk ka ndodhur më parë, tha Trump. Puna e këtij departamenti do të përfundojë më 4 korrik 2026, në 250-vjetorin e nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë së SHBA-ve.
I listuar si personi më i pasur në botë nga revista Forbes, Musk pritej të përfitonte nga fitorja e Trump-it e sipërmarrësi miliarder pritet të ushtrojë ndikim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar kompanitë e tij dhe për të siguruar trajtim më të favorshëm nga qeveria. Ai ka dhënë miliona dollarë për të mbështetur fushatën e Trump-it për zgjedhjet presidenciale e të dy kanë pasur edhe dalje publike.
Trump ka lidhur përpjekjet për efikasitet me Projektin Manatan, ndërmarrja amerikane për krijimin e bombës bërthamore që ndihmoi në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore e Musk premtoi se do të ketë transparencë.
Të gjitha veprimet e Departamentit për Efikasitet të Qeverisë do të publikohen online me transparencë maksimale. Po ashtu, ne do të merremi me shpenzimet e mëdha të dollarëve të taksave tuaja. Do të jetë jashtëzakonisht tragjike dhe jashtëzakonisht argëtuese.
Në tetor, gjatë një tubimi të Trump-it, Musk pati deklaruar se buxheti federal mund të ulet “me të paktën” 2 trilion dollarë.
Paratë tuaja po shpërdorohen dhe Departamenti për Efikasitet të Qeverisë do ta rregullojë këtë problem.
Ndërkaq, Ramaswamy është themelues i një kompanie farmaceutike. Ai garoi kundër Trump-it për nominimin e republikanëve por kur u tërhoq nga gara, mbështeti ish-presidentin. Në një libër të publikuar më 2021-shin, Ramaswamy ka kritikuar vendimet e disa kompanive të mëdha që bazojnë strategjinë e tyre të biznesit rreth drejtësisë sociale dhe shqetësimeve për ndryshimet klimatike.