Aktualitet Bota

Trump e kërcënoi me tarifa të larta për emigrantët, presidentja e Meksikës uron republikanin për fitoren në zgjedhje!

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum thotë se fitorja e Trump nuk është shkak për shqetësim për vendin e saj.

“Ne jemi një vend i lirë, i pavarur, sovran dhe do të kemi marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara”, i tha ajo shtypit.

Herën e fundit që Trump ishte president, ai u zotua të ndërtonte një mur në kufirin me Meksikën për të ndaluar hyrjen e emigrantëve në SHBA. Ai tani ka premtuar se do ta përfundojë kur të hyjë sërish në detyrë.

Ai gjithashtu ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të larta për vendin nëse nuk i ndalon emigrantët të kalojnë në SHBA.

Republikani Donald Trump është fituesi i zgjedhjeve presidenciale, duke siguruar një rikthim të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Ish Presidenti Donald Trump, 78-vjeçar, do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë.

Ashtu si Presidenti Grover Cleveland në fund të viteve 1800, Presidenti Trump do të shërbejë dy mandate të shkëputura, si presidenti i 45 dhe 47 i Shteteve të Bashkuara.

Por si do të jetë mandati i dytë i Presidentit Trump, duke patur parasysh presidencën e kaluar dhe premtimet gjatë kësaj fushate. Emigracioni ka një përparësi të madhe për zotin Trump dhe politikat e tij kufizuese janë të lidhura me pikëpamjet e tij nacionaliste “Amerika e para”.

Shtatë ditë pasi mori presidencën në vitin 2017, zoti Trump vuri një kufizim 90 ditor, që ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Gjatë fushatës presidenciale të këtij viti, zoti Trump foli me forcë për atë që ai e quan “pushtim nga emigrantët”, duke e bërë sigurinë kufitare një çështje kyçe elektorale. Gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut ai u shpreh se çfarë do t’i thoshte presidentes së re të Meksikës.

“Do ta informoj atë se nëse nuk e ndalon valën e kriminelëve dhe drogës që futet në vendin tonë, do të vendos menjëherë një tarifë 25% për gjithçka që dërgojnë në Shtetet e Bashkuara”, tha republikani Trump.

Gjatë kohës në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump vuri tarifa ndaj importeve kineze dhe duket se nuk ka gjasa të ndryshojë taktikat.

“Ata na kanë dëmtuar, duke shkaktuar humbje të vendeve të punës dhe pastaj eksportojnë në Shtetet e Bashkuara prodhimet e tyre duke shmangur taksat. Kështu që ne humbasim. Humbasin kompanitë amerikane dhe mbyllen vendet e punës. Kështu bëhemi humbës të mëdhenj”, tha zoti Trump duke folur mbi tarifat ndaj Kinës.

Presidenti Trump e tërhoqi Uashingtonin nga Marrëveshja e Parisit e vitit 2015, një traktat ndërkombëtar që trajton ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale

“U zgjodha për të përfaqësuar qytetarët e Pitsburgut, jo të Parisit”.

Zoti Trump thotë se politika e tij energjetike do të përqendrohet tek rritja e nxjerrjes së naftës në vend dhe eliminimin e disa rregullave mjedisorë.

“Ditën e parë, orën e parë, ne mund të bëjmë shumë gjëra, por fillimisht do të nxjerrim naftën në vend”, tha zoti Trump.

Në mandatin e tij të dytë si president, republikani Trump po premton një qasje më proteksioniste dhe izoluese sesa katër vitet e fundit të Presidentit Joe Biden.