Aktualitet

Tritoli motrave Alda e Xhovana Nikolli, SPAK-u tërheq dosjen!

SPAK-u tërheq dosjen e shpërthimit të tritolit në banesën ku jetonin me qira dy motrat Alda dhe Xhovana Nikolli e që për pasojë çoi në plagosjen e rëndë të fqinjit të tyre, i cili hyri në reanimacion te Trauma në Tiranë. Burime shumë të sigurta pranë Prokurorisë së Posaçme i thanë gazetares së Top Channel, Anila Hoxha se çështja që ishte regjistruar pranë Prokurorisë së Elbasanit për plagosje të rëndë, posedim eksplozivi, etj, tashmë do t’i bashkohet të njëjtit hetim ku i penduar është shtetasi Nuredin Dumani.

Kujtojmë se Alda Nikolli deklaroi se kishte lidhje me Dumanin prej disa kohësh, duke treguar se me të, ai mbante komunikim të vazhdueshëm në lidhje Skype nga qelia. Po ashtu, në një intervistë për Top Channel, rrëfeu të tjera detaje për të cilat pretendoi se i dënuari i drejtësisë i ka thënë në komunikimet private mes tyre.

Alda Nikolli u shpreh se nuk ka dyshime që tritoli në derën e banesës ku ajo jetonte u vu dhe shpërtheu me urdhër të të penduarit të drejtësisë, pasi ajo iu drejtua SPAK-ut, si formë kërcënimi. Madje, nxorri fotot e Dumanit me internet e kondicioner në qeli.

Alda Nikolli shprehej:

Neve na vendosën një tritol në shtëpi, kjo erdhi si pasojë e një videoje, mendoj dhe dyshoj unë. Gjithashtu edhe një kërcënim që ne kemi marrë dy ditë para shpërthimit. Unë nuk di të kem pasur ndonjëherë probleme me njeri.

Edhe nga ju është verifikuar që unë nuk kam pasur probleme. I vetmi kërcënim që unë kam marrë është i Nuredin Dumanit. Nuredin Dumanin unë e kam njohur nëpërmjet Amarildo Xhanejt, kunatit tim, i cili ndodhet në Burgun 313. Janë në një godinë. Jemi njohur nëpërmjet skype-it, lidhëm kontaktet e vazhduam të flasim. Kemi folur 24/24. I lejohej atij. Nuredini është drejtor i burgut, jo i burgosur.

Mendova që donte të njihej, por paska pasur qëllim për të më përdorur, si mua dhe motrën time, Xhovanën. Qëllimi i Dumanit ishte që t’i hiqte statusin Amarildos, të pushonte nga puna prokuroren edhe të lante haqet me hasmin nëpërmjet meje.