Aktualitet

Tritol në Elbasan/Nga shpërthimi para një apartamenti e pëson fqinji përballë!

Një 26 vjeçar nga Elbasani u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë pasi mbeti i plagosur nga shpërthimi i një sasie tritoli. Sipas policisë, dyshohet se objektiv ishin dy motra që jetojnë me qira në lagjen “Haxhias”. Lënda plasëse ishte vendosur në korridorin e katit të 4-rt të një pallati, në derën e një apartamenti në pronësi të një 59 vjeçari. I riu u dëmtua aksidentalisht nga dera e dhomës së tij pas shpërthimit, në apartamentin përballë e është në gjendje të rëndë shëndetësore. Po ashtu, pati dëme të shumta materiale. Policia vijon punën për zbardhjen e rastit.

Deklarata zyrtare e Policisë Elbasan: 

Rreth orës 02:30, në lagjen “Haxhias”, në korridorin e katit të 4-rt të një pallati në derën e hyrjes në pronësi të shtetasit B.B., 59 vjeç, në të cilën jetonin me qira dy shtetase ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse.

Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Ndërkohë, po nga shpërthimi është dëmtuar aksidentalisht nga dera e dhomës së tij shtetasi E.Th., rreth 26 vjeç, i cili banon në hyrjen përballë.

Eshtë ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit/ve.

Për Top Channel, mes lotësh, babai i të riut u shpreh se djali i tij është në intubim në spital dhe iu lutet mjekëve që ta shpëtojnë.

Djali është në intubim, është dëmtuar në kokë, i ra dera në kokë. I lutem doktorëve të më shikojnë çunin. Vajzat nuk i njihja, komshije. Unë në gjumë isha, çunin e pashë në tokë, dera është ndarë përgjysmë!