Aktualitet

Tritol makinës së efektivit në Shkodër, dëme materiale!

Një sasi lënde plasëse iu vendos makinës së një efektivi policie në Shkodër. Shpërthimi rreth orës 04:00 të mëngjesit, në lagjen “Tepe”, dëmtoi pjesërisht mjetin e 50 vjeçarit, të parkuar në oborrin e banesës së tij. Eksplozivi ishte vënë te goma e pasme, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Forcat e Policisë vijojnë kontrollin në zonë, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve. Ende nuk ka detaje se cili mund të jetë shkaku i vendosjes së lëndës plasëse dhe nëse kjo ngjarje lidhet me detyrën e efektivit.

Rreth orës 04:00, në lagjen “Tepe”, në automjetin e policit K. S., 50 vjeç, i parkuar në oborrin e banesës, është vendosur lëndë plasëse tek goma e pasme e automjetit. Nga shpërthimi është dëmtuar pjesërisht automjeti. Forcat e Policisë vijojnë kontrollin në zonë, ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.

Gazetari Klodian Zhivani ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, ku tregohet momenti kur dy autorët të maskuar me pelerina të zeza hipin mbi murin rrethues të banesës dhe vendosin tritolin në banesën e Kastriot Selimajt, efektiv i Policisë Rrugore në Shkodër. Në polici, ai ka deklaruar se nuk pa probleme me njeri dhe dyshimet janë për shkak të punës.