Policia e Vlorës sekuestroi 30 kallëpë me tritol, katër granata dore e dy ndezës granatash. Pas informacioneve për një shtetas që lëvizte në lagjen “Isa Boletini” të qytetit bregdetar me një çantë të dyshimtë, efektivët shkuan në adresën e dhënë dhe brenda një banese të braktisur, u gjetën sendet e kundraligjshme. Policia po punon për identifikimin e autorit/ëve.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Në kuadër të kontrollit të territorit, rritjes së efektivitetit të punës së strukturave dhe inteligjencës policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë vijuar me kontrollet e imtësishme në territor, në qytetin e Vlorës, veçanërisht në zonat me risk.
Pas informacionit të siguruar përmes inteligjencës policore, për një shtetas që lëvizte në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë dhe mbante një çantë brenda së cilës dyshohej se kishte sende të kundërligjshme, shërbimet e Policisë, bazuar fillimisht në informacione sipas të cilave dyshohej për lëndë narkotike, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë bllokuar hyrje-daljet e lagjes dhe kanë vijuar kontrollin e imtësishëm, për të lokalizuar personin e dyshuar.
Gjatë kontrollit në një banesë të braktisur, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 30 kallëpe me lëndë plasëse tritol, 4 granata dore dhe 2 ndezës grantash, që dyshohet se i kishte braktisur si rezultat i presionit të policisë, personi që lëviste me çantë në këtë lagje. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, strukturat hetimore të DVP Vlorë dhe ato të Komisariatit të Policisë Vlorë vijojnë punën intensive për kapjen e poseduesit/ve të lëndës plasëse dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.