Aktualitet

Treguesi i besimit në ekonomi u rrit lehtë në korrik!

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) shënoi rritje të lehtë me 0.7 pikë në korrik. Niveli i TNE-së qëndron rreth 11 pikë mbi mesataren historike. Përmirësimi në muajin që lamë pas, kryesisht u ndikua nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit e të shërbimeve. Në një masë më të vogël, ndikoi edhe rritja e besimit në sektorin e industrisë, si dhe besimi konsumator. Nga ana tjetër, besimi në tregti dha kontribut negativ.

Treguesi i Besimit të Industrisë regjistroi rritje të lehtë me 0.3 pikë përqindje në muajin korrik, duke qëndruar rreth 7 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e treguesit këtë muaj, kryesisht u ndikua nga vlerësimet më optimiste të bizneseve për prodhimin industrial aktual dhe për nivelin e porosive të reja. Gjithashtu, bizneset ishin optimiste për rritjen e prodhimit industrial në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u rritën pak në krahasim me muajin e kaluar.

Treguesi i Besimit në Ndërtim u rrit me 2.7 pikë përqindje në korrik. Niveli i tij, aktualisht qëndron 21 pikë mbi mesataren historike dhe pranë maksimumit historik. Rritja këtë muaj u përcaktua nga të dy komponentët përbërës, vlerësimet për aktivitetin aktual ndërtues, si dhe niveli i porosive të reja. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje këtë muaj.

Treguesi i Besimit në Shërbime shënoi rritje 1.7 pikë përqindje në muajin korrik. Niveli i tij aktualisht qëndron rreth 20 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e besimit në sektorin e shërbimeve u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre. Vlerësimet për nivelin aktual të kërkesës mbetën pothuaj të pandryshuara nga niveli i një muaji më parë. Pritjet për kërkesën në të ardhmen janë rritur këtë muaj. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

Treguesi i Besimit në Tregti regjistroi rënie me 3.1 pikë përqindje në muajin korrik, i ndikuar kryesisht nga vlerësime më pak optimiste për ecurinë e biznesit aktual. Niveli i treguesit aktualisht qëndron rreth 5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje nga bizneset e tregtisë në korrik.

Treguesi i Besimit Konsumator regjistroi rritje me 0.5 pikë përqindje në muajin korrik, duke ndërprerë prirjen rënëse të dy muajve të fundit. Treguesi i Besimit Konsumator vijon të qëndrojë pranë nivelit të mesatares historike edhe këtë muaj. Kështu, vlerësimi aktual dhe pritjet për blerjet në shuma të mëdha u rritën në korrik. Nga ana tjetër, pritjet për situatën ekonomike ishin më pak optimiste këtë muaj. Pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen regjistruan rënie të lehtë./Monitor