Aktualitet

Treguesi i besimit në ekonomi pësoi rënie për muajin maj!

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) shënoi rënie të lehtë me 1.1 pikë në muajin maj, pas përmirësimit të dy muajve të mëparshëm. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i tij qëndron në nivele të larta, pranë nivelit më të lartë historik dhe rreth 13 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Rënia e treguesit të besimit në maj u ndikua nga nivele më të ulëta besimi në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të konsumatorëve. Nga ana tjetër, besimi u rrit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë.

Treguesi i besimit të industrisë regjistroi rënie të lehtë me 0.6 pikë përqindje në muajin maj, duke ndërprerë prirjen rritëse të dy muajve të kaluar. Niveli i tij qëndron aktualisht 6.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e treguesit këtë muaj u ndikua kryesisht nga vlerësimet më të ulëta për prodhimin industrial aktual.

Vlerësimet e bizneseve për nivelin e porosive në përgjithësi regjistruan rënie të lehtë. Nga ana tjetër, bizneset presin që prodhimi industrial në të ardhmen të shënojë rritje. Pritjet për çmimet në të ardhmen u ulën në krahasim me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në ndërtim  vijoi një prirje të lehtë rënëse për të tretin muaj rresht, por niveli i tij qëndron 20 pikë mbi mesataren historike dhe pranë maksimumit historik. Rënia me 0.6 pikë në muajin maj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues. Nga ana tjetër, porositë aktuale janë vlerësuar me rritje. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje të lehtë këtë muaj.

Treguesi i besimit në shërbime shënoi rritje për të tretin muaj radhazi, duke u ngjitur me 2.1 pikë përqindje në maj. Niveli i tij aktualisht qëndron 24 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Në rritjen e treguesit kontribuuan vlerësimet më optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës. Gjithashtu, pritjet për kërkesën dhe nivelin e punësimit në të ardhmen janë rritur këtë muaj. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 1.3 pikë përqindje në muajin maj, duke vijuar prirjen rritëse që nga muaji mars i këtij viti. Niveli i këtij treguesi qëndron rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rritjen mujore ndikuan kryesisht pritjet më optimiste për punësimin në të ardhmen.

Vlerësimet për ecurinë aktuale të biznesit qëndruan në nivel të njëjtë me muajin e kaluar. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje.

Treguesi i besimit konsumator regjistroi rënie me 4.9 pikë përqindje në muajin maj, duke ndërprerë prirjen rritëse të dy muajve të fundit. Treguesi qëndron shumë pranë nivelit të mesatares historike këtë muaj.

Konsumatorët vlerësuan më dobët situatën e tyre financiare, situatën ekonomike të vendit në të ardhmen si dhe blerjet në shuma të mëdha. Pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen janë rritur në muajin maj./Monitor