Rajoni

Tre politikanë të Malit të Zi, “non grata” në Kroaci/Mes tyre kryeparlamentari Mandiç!

Përmes një note drejtuar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë, sot njoftoi Podgoricën se Zagrebi shpalli “non grata” kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiç, deputetin Milan Knezheviç e zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiç.

Zagrebi tha se vendimi u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të “abuzimit me Kroacinë për qëllime të brendshme politike”.

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që në Parlamentin e Malit të Zi, shumica vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe e në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Sipas ministrisë kroate, “fqinjësia e mirë është një ndër elementët kyçë të procesit të zgjerimit e atij të stabilizim-asociimit, si “dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e përparimit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi” në Bashkimin Evropian. Kroacia theksoi se e mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në BE.

Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe se të përqendrojë përpjekjet e tij në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit.

Mandiç e Knezheviç drejtojnë dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus. Beçiç është udhëheqës i demokratëve. Më herët këtë javë, Fronti Demokratik u bë pjesë e Qeverisë të Malit të Zi, që drejtohet nga kryeministri Millojko Spajiç.

Përfshirja në ekzekutiv e Frontit Demokratik dhe e Partisë së Boshnjakëve u prit me shqetësim nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë. Kjo pasi Uashingtoni vuri në dukje se në qeveri kanë hyrë forca politike që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundërshtare të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundrejt Rusisë.