Rajoni

Tre ditë debate, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miraton propozimin francez!

Pas debateve, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi sot propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke i hapur rrugën procesit të integrimit europian. Dokumenti kaloi me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në procesin e votimit, me shumë rëndësi edhe për Shqipërinë, pasi nga Unioni, trajtoheshim si jo të ndarë nga Maqedonia e Veriut, në hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Për këtë arsye, kryeministri Rama bëri një paralajmërim dy ditë më parë.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Parlamenti detyron Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve, gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë.

Propozimi francez përfshin kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin e të kaluarën historike. Nga pala maqedonase, Bullgaria kërkon që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, deklaroi:

Qeveria është e vendosur të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike e kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet europiane.

Por, deputetët e VMRO-DPMNE/së vazhduan me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” se sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtar maqedonas”. Ata nuk u bindën as nga deklarata e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila i siguroi se “propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij”.