Mbreti Charles bëri thirrje për respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë pas trazirave raciste që kishin në shënjestër myslimanët dhe emigrantët në Britani. Mbreti falënderoi policinë dhe shërbimet e urgjencës për përpjekjet e tyre për të rivendosur paqen dhe përshëndeti mënyrën se si grupet e komunitetit kishin kundërshtuar agresionin dhe kriminalitetin nga disa.
“Mbetet shpresa e Madhërisë së Tij që vlerat e përbashkëta të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë do të vazhdojnë të forcojnë dhe bashkojnë kombin,”-tha zëdhënësi pasi Charles bisedoi në telefon me kryeministrin Keir Starmer dhe shefat e policisë.
Charles krijoi një shoqatë bamirësie, Princes Trust, në vitet 1970, e cila ka ndihmuar një milion të rinj të gjejnë punë ose të krijojnë projekte komunitare dhe ajo ka vazhduar të funksionojë përfshirë në vendet e goditura nga trazirat që nga kurorëzimi i tij.
Mijëra policë të specializuar do të qëndrojnë në detyrë këtë fundjavë në rast se trazirat do të rifillojnë pas tre ditësh qetësie. Trazirat shpërthyen pasi postimet në internet identifikuan në mënyrë të rreme vrasësin e dyshuar të tre vajzave të reja në një sulm me thikë më 29 korrik në Southport, në Anglinë veriperëndimore, si një emigrant mysliman.
Qeveria po shqyrton rregulla më të ashpra për kompanitë e mediave sociale. Për të tretën ditë radhazi, demonstruesit anti-racistë tejkaluan shumë protestuesit kundër emigrantëve në disa vende.
Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë tha se më shumë 6,000 oficerë të trajnuar për rendin publik do të jenë në detyrë gjatë fundjavës. “Është ndoshta një nga përgjigjet më të forta të policisë kombëtare që kemi bërë ndonjëherë, sigurisht në historinë time të karrierës”-Gavin Stephens, kryetari i NPCC.
Ndërsa policia tha se nuk ishte e qartë se sa, nëse ka, mund të mbaheshin demonstrata kundër migrantëve, rreth 40 kundërprotesta do të mbaheshin të shtunën, sipas një grupi të quajtur Stand Up to Racism.