Në Amerikë, komisioni i Kongresit që heton sulmin ndaj Kapitolit, më 6 janar 2021, unanimisht votoi për të thirrur Donald Trumpin. Ish-presidenti duhet të dëshmojë për rolin e tij në nxitjen e dhunës e përpjekjet disa javore për të përmbysur humbjen në presidencialet e nëntorit 2020. Kryetari i komisionit, ligjvënësi i Misisipit, Bennie Thompson:
Duhet të dëgjojmë nga Donald Trump. Ish-presidenti duhet të përgjigjet për veprimet, pjesë e skemës së tij për të qëndruar në pushtet. Kemi detyrimin që ta shohim dëshminë e Trumpit, përpara të gjithë publikut amerikan.
Ndërsa gjithçka transmetohej live në televizion, të nëntë anëtarët e komisionit votuan në favor të dërgimit të fletëthirrjes për Trumpin, duke i kërkuar dëshminë, si dhe dokumentat që mund të disponojë mbi përpjekjet për të qëndruar në pushtet, duke mos pranuar humbjen përballë demokratit Joe Biden.
Ende nuk dihet nëse ish-presidenti republikan do të bashkëpunojë me komisionin e dominuar nga demokratët apo nëse do të përpiqet ta bllokojë thirrjen për paraqitje.
Zëdhënësi i tij, Taylor Budowich, tha se “nuk do të intimidohej nga retorika e pavlerë apo veprimi jo-amerikan i votimit për ta thërritur”.
Anëtarët e komisionit janë të hidhur, të etur për pushtet e të dëshpëruar.
Po ashtu, Donald Trump ka sfiduar edhe të tjera përpjekje për të vënë në pikëpyetje veprimet e tij gjatë kohës kur ishte president e në periudhën pasuese, duke paraqitur padi të përsëritura. Ndonjëherë i fitonte, ndonjëherë i ka humbur, gjithnjë duke shtyrë zgjidhjen përfundimtare.
Pa fakte, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë vazhdon të pretendojë se pati mashtrime në zgjedhje, për shkak të parregullsive në disa shtete ku humbi me rezultat të ngushtë ndaj rivalit Biden. Anëtarët e komisionit të posaçëm hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve, shtatë demokratë dhe dy republikanë anti-Trump, i quan “banditë politikë dhe faqezinj”.
Nëse ish-presidenti nuk bie dakord të dëshmojë, ndoshta kjo do të jetë e fundit seancë publike e komisionit. Aty u paraqitën pamje filmike të trazirave në Kapitol, 21 muaj më parë, si dhe copëza të dëshmive të ndihmësave të Trumpit, të cilët në mënyrë të përsëritur i thanë se i humbi zgjedhjet e se çfarëdo parregullsish që mund të kenë ndodhur gjatë votimit apo numërimit, nuk ishin të mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin.