Në Gjeorgji, policia përdori gaz lotsjellës dhe granata që të trullosin, për të shpërndarë një protestë para parlamentit kundër një projektligji për “agjentët e huaj”. Dëshmitarët në Tbilis, kryeqytetin e vendit ish-sovjetik thanë se panë policinë të bënte arrestime përgjatë rrugës kryesore që kalon në qendër të qytetit, Rustaveli.
Më herët, forcat e rendit ishin përleshur me demonstruesit, disa prej të cilëve hodhën bomba me benzinë dhe gurë. Më pas, turma u mblodh jashtë parlamentit ku disa vetë hoqën barrierat e lehta prej metali të vendosura për të mos lejuar publikun t’i afrohej ndërtesës.
Përmes një deklarate, Ministria e Brendshme raportoi për të lënduar nga të dy palët pas asaj që e quajti “protestë jashtëzakonisht të dhunshme”.
Policia do të marrë masa për shkeljen e ligjit.
Protestat shpërthyen pasi ligjvënësit dhanë mbështetje mbi projektligjin, për të cilin kritikët thonë se përbën “kthesë autoritare dhe mund të dëmtojë përpjekjen e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Europian”.
Kryeministri gjeorgjian, Giorgi Garibashvili ripohoi mbështetjen ndaj draftit. Sipas tij, “dispozitat e propozuara për agjentët e huaj përmbushin standardet europiane dhe globale”.
Por shefi i Politikës së Jashtme të Unionit, Josep Borrell u shpreh:
Projektligji është zhvillim shumë negativ për vendin e mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet e Gjeorgjisë me BE-në.
Mijëra njerëz, disa prej të cilëve me flamujt e BE-së dhe Ukrainës, u mblodhën para Parlamentit për të dëgjuar kritikët që denonconin projekt-ligjin, sipas së cilit çdo organizatë që merr më shumë se 20% të financimit nga jashtë duhet të regjistrohet “agjente e huaj” ose të përballet me gjoba të konsiderueshme.
Kritikët thonë se ligji është i ngjashëm me atë të të vitit 2012 në Rusi, që atëherë u përdor për të goditur disidencën. Presidentja gjeorgjiane, Salome Zourabichvili, tha se do të vërë veton ndaj ligjit. Ajo qëndroi në anën e protestuesve.
Ju përfaqësoni një Gjeorgji të lirë, një Gjeorgji që e sheh të ardhmennë Perëndim dhe që nuk do të lejojë askënd t’ia marrë këtë të ardhme.
Disa protestues thërrisnin:
Jo ligjit rus! Ju jeni rusë!
Rusia shihet si një vend armik nga shumë gjeorgjianë, pasi Moska mbështeti separatistët në rajonet gjeorgjiane të Abkhazisë e Osetisë së Jugut në vitet ‘90.