Bota

Trazira në Francë pas vrasjes nga policia të një 17-vjeçari!

Trazira në Nanterre, në periferi të kryeqytetit francez Paris, ku një oficer policie qëlloi dhe vrau  një 17-vjeçar. Një ditë më parë, i riu po drejtonte një makinë dhe kishte reaguar duke iu bërë rezistencë urdhrave të efektivëve që i kërkuan të ndalonte.

Ndërkaq është ndaluar polici i cili hapi zjarr në momentin kur 17-vjeçari u largua duke refuzuar t’iu nënshtrohej kontrolleve. Fillimisht, policia tha se makina kishte tentuar të godiste policët, por një video që qarkullon në rrjetet sociale tregon një nga oficerët duke i drejtuar armën. Kur i riu u largua, qëlloi me armën e shërbimit. Madje, oficeri dëgjohet duke bërtitur: Do të të qëlloj në kokë.

Disa dhjetëra metra më tej, makina u përplas me një shtyllë dhe Noel M., 17 vjeç humbi jetën pak pas mbërritjes së autoambulancës. Në makinë me viktimën gjendeshin dy persona të tjerë, një djalë i cili u ndalua dhe më pas u lirua e një person i tretë, ende në kërkim.

Përplasjet

Thirrjet për hakmarrje morën shkas nga ngjarja tragjike. Episodet e para të dhunës u shënuan dje në orët e vona të pasdites, disa qindra metra larg shtëpisë së viktimës. Aty u ngritën barrikada dhe u dogjën kazanë të mbeturinave e makina. Rreth dhjetë persona u arrestuan.

Janë hapur dy hetime

Janë hapur dy hetime, një lidhur me refuzimin për t’iu bindur policisë franceze nga i riu që drejtonte Benz-in, e marrë me qira dhe i denoncuar për drejtim të rrezikshëm e tentativë vrasjeje. Një tjetër, për vrasje nga agjenti.

Kush ishte 17-vjeçari i vrarë

Djali ka patur precedentë dhe nuk ishte i panjohur për forcat e rendit në Francë. Ai ka patur probleme me ligjin për drejtim të  automjetit pa leje dhe kundërshtim të zyrtarëve.