U kap në flagrancë duke transportuar me furgonë kundrejt fitimit, emigrantë nga Pakistani, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, një 56 vjeçar u arrestua nga policia në Elbasan. Ndalimi i këtij shtetasi me banim në Korçë u bë në unazën e qytetit. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan një automjet dhe dy aparate celularë në kuadër të operacionit të koduar “Four”.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Four”.
U kap duke transportuar me furgon, kundrejt fitimit, emigrantë nga Pakistani, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 56-vjeçari.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Four ”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: F.K., 56 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në unazën e qytetit, Elbasan, duke transportuar me furgon, kundrejt fitimit, 4 emigrantë nga Pakistani, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe dy celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Në një tjetër zhvillim, policia në Lushnjë prangosi një shtetas 51-vjeç nga Barbullinja pasi kishte kthyer në qendër droge lokalin e tij.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë/Kishte përshtatur lokalin për përdorim dhe shitje të lëndës narkotike, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari.
Sekuestrohet 1 sasi lënde e dyshuar narkotike, kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, pas një pune të mirëfilltë policore dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur një tjetër rast të shitjes së drograve të forta në doza. Për këtë rast u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
-G.M., 51 vjeç, banues në fshatin Barbullinjë, Lushnjë.
Nga kontrolli i ushtruar në lokalin e këtij shtetasi, në fshatin Barbullinjë, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan doza të lëndës së dyshuar narkotike, kokainë, gati për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike dhe 2 aparatë celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.