Jo çdo gjë që shikoni në rrjetet sociale është e vërtetë dhe këtë tashmë ju e keni kuptuar. Por një çift fitnesi ka dashur që këtë t’ua vërtetojë përmes disa postimeve në “Instagram”.
Georgina Cox dhe bashkëshorti i saj, Steven Cox, herë pas here krijojnë video apo foto të përbashkëta për rrjetet sociale. 33-vjeçarja nga Middlesbrough, e cila është një trajnere personale, ka zbuluar se ka qenë në ‘luftë me trupin e saj për një kohë të gjatë’.
Në postimet e saj, e reja fokusohet në promovimin për të dashur trupin ashtu siç është. Për këtë arsye, ajo së bashku me 34-vjeçarin vendosën që të krijonin një postim ‘të rremë’ të transformimit të trupit, për t’u treguar ndjekësve të tyre se jeta nuk është gjithmonë ashtu siç duket në internet.
Postimi në fjalë përfundoi duke bërë xhiron në rrjet, duke arritur miliona shikime dhe mijëra komente. Këndet, ndriçimi dhe veshja e duhur, bëjnë një ndryshim të madh kur bëhet fjalë për mënyrën se si dukeni në foto.