Një grua rreth të 70-ave ka ndërruar jetë në spital pasi u rrëzua në një koncert të Robbie Williams në Sydney. Ajo u rrëzua në gjashtë rreshta sediljesh gjatë koncertit në Allianz Stadium dhe pësoi lëndime të rënda në kokë. E moshuara u dërgua me urgjencë në spital ku u vendos në koma të induktuar. Autoritetet mjekësore konfirmuan së fundmi se ajo ka ndërruar jetë. Ndërkaq, këngëtari britanik nuk e ka komentuar ende incidentin.
Rikujtojmë, se së fundmi gjithashtu një fanse 23-vjeçare vdiq në një koncert të Taylor Swift në Rio de Zhaneiro pasi ra përtokë nga vapa. Familja e së ndjerës ka thënë se po kërkon përgjigje pas raportimeve se organizatorët e koncertit i kishin ndaluar të merrnin ujë në shfaqje, pavarësisht nga kushtet e valës së të nxehtit.
Ndërkaq, Swift pas ngjarjes tragjike reagoi duke thënë se:
Nuk mund ta besoj që po i shkruaj këto fjalë, por me zemrën e copëtuar them se humbëm një fans sonte para shfaqjes sime. Unë as nuk mund t’ju them se sa e shkatërruar jam nga kjo.
Në disa video të publikuara në rrjet, Swift u pa duke iu lutur stafit të stadiumit për t’u dhënë ujë pjesëmarrësve në koncert, por në stadium ka qenë shumë nxehtë dhe uji nuk është lejuar të futet nga jashtë.