Aksidentet rrugore marrin sërish jetë. 4 persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në aksin Fier-Vlorë. Policia bëri me dije se viktimat ishin të gjithë në mjetin tip “Toyota”, mes tyre dy të mitur. Të plagosur kanë mbetur dhe dy persona të tjerë, drejtuesi dhe pasagjeri i mjetit tip “Audi”.
Aksidenti ndodhi rreth orës 08:23, në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Kripa”, ku një mjet tip “Audi” është përplasur me një mjeti tip “Toyota”.
Një nga makinat ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Vlorës me shpejtësi të madhe dhe dyshohet se mjeti tip ‘Audi’ ka goditur nga pas makinën “Toyota”, e cila është shkatërruar plotësisht. Për pasojë dy makinat kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal. Njëra prej tyre siç shihet është shkatërruar plotësisht. 3 ambulanca kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.
Si pasojë e aksidentit, 4 shtetasit që udhëtonin me mjetin “Toyota” (dy të rritur dhe dy fëmijë të mitur) kanë ndërruar jetë. Gjithashtu janë dëmtuar dhe dy shtetasit që udhëtonin në mjetin “Audi” (drejtuesi dhe pasagjeri), të cilët po transportohen në spital, për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të aksidentit, identifikimin e viktimave dhe të personave të plagosur.