Efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, së bashku me mjetet e tyre i janë përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë dhe janë angazhuar në operacionin për gjetjen e tre trupave të raportuar të mbytur në lumin Buna të Alma Arrazit me dy fëmijët e saj, pranë fshatit Darragjat, njësia administrative Dajç, Shkodër.
Ekipet e efektivëve nga Batalioni i Forcave speciale dhe efektivëve nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile i bashkohen polumbarëve të Repartit RENEA, Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, policisë së Shkodrës, Drejtorisë së Kufirit e banorëve të zonës, të cilët vijojnë kërkimet që prej ditës së djeshme.
Ndërkaq mësohet se kanë nisur kërkimet edhe në Malin e Zi. Ka qenë ministri i Brendshëm, Taulant Balla që i ka bërë kërkesë autoriteteve të Podgoricës që të nisin kërkimet.
Qytetarëve ju janë vënë në dispozicion çdo mjet i nevojshëm për kërkimet gjatë natës në mënyrë që me varkat e tyre të gjenin në shtratin e lumit Buna trupat e nënës dhe 2 fëmijëve të tjerë.
Kërkimet janë shtrirë gjithashtu në zonën e Anës së Malit e po ashtu në atë të Berdicës. Ndërkohë që sot polumbarët e RENEA-s së bashku me forcat e policisë kanë mbërritur sërish në vendngjarje për të rifilluar kërkimet për gjetjen e 3 trupave.
Deri më tani është gjetur trupi i vajzës 9 vjeçe dhe po kërkohet pa ndërprerje për trupat e nënës dhe 2 fëmijëve të tjerë.
Policia ka sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë ku shihet Alma Arrazi me 3 fëmijët duke pirë kafe në një lokal pranë urës së Bunës. Por më pas nuk është kapur në asnjë kamera sigurie.
Menjëherë pas gjetjes së trupit të vajzës së mitur në pranga u vu babai Ergys Arrazi, i cili akuzohet për “Shkaktimin e vetëvrasjes”.
Ka qenë vetë 31-vjeçari Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.
Familja Arrazi ka hapur dyert e mortit për vajzën 9-vjeçare, e cila u gjet e mbytur në lumin e Buna. Lamtumira e fundit do t’i jepet të voglës ditën e sotme në orën 14:30 në Shkodër.