Rajoni

Tragjedia në Mesdhe me 79 viktima e qindra të zhdukur, Greqia kërkon Europol-in për hetime!

Tragjedia e para pak ditëve në Mesdhe ku humbën jetën 79 emigrantë, por me qindra rezultojnë të humbur, zyrtarët grekë të zbatimit të ligjit kërkojnë mbështetje në hetime nga Europol-i. 104 persona u shpëtuan, ndërsa u mbyllën pa sukses kërkimet për të mbijetuar të tjerë. Si trafikantë të dyshuar u arrestuan nëntë vetë, njëri prej të cilëve ende ndodhet i shtruar në spital.

Ata janë egjiptianë, të moshave 20 deri në 40 vjeç dhe akuzohen për trafik qeniesh njerëzore, vrasje nga pakujdesia e krijim të një organizate kriminale. Televizioni shtetëror grek, ERT raporton:

Dyshohet se ata i përkasin një rrjeti trafikantësh të qenieve njerëzore e që mund të kenë organizuar deri në 18 kalime të rrezikshme nga bregdeti libian për në Itali, gjatë muajve të fundit.

Me ndihmën e Europolit, hetuesit grekë shpresojnë që të përcaktojnë organizatorët që qëndrojnë pas asaj që ndodhi. Ndërkaq, personat e arrestuar u identifikuan përmes deklaratave të të mbijetuarve të tjerë.

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se njëri nga të arrestuarit pranoi se merrte para’ për punën e kryer në bord, por të tjerët mohuan të gjitha akuzat me të cilat përballen.

Të mbijetuarit thanë se kishin paguar mes shifrave 5 mijë e 6 mijë euro secili për udhëtimin që u kthye në tragjedi. Trafikantët nesër dalin para një gjykate në Greqi.

Të mërkurën e 14 qershorit, një varkë peshkimi e mbipopulluar me 500 deri në 700 emigrantë, u fundos gjatë rrugës nga Afrika për në Europë. Vendi i fundosjes, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Gadishullit të Peloponezit shtrihet mbi thellësinë e Calypso-s e që me më shumë se 5 mijë metra është pika më e thellë në Mesdhe. Gjasat janë që varka e peshkimit të mos gjendet kurrë.

Edhe dje, roja bregdetare greke vazhdoi të kërkonte në rajon, me një fregatë, tre varka patrullimi e një helikopter. Por, erërat e forta penguan punën e autoriteteve. Shpresat për shpëtimin e të mbijetuarve të tjerë, nuk ekzistojnë praktikisht.