Regjisori i njohur James Cameron është i gatshëm për të drejtuar një film për tragjedinë e nëndetëses Titan në Atlantik, ku humbën jetën pesë pasagjerët. Siç raporton The Sun, regjisori i Titanikut është në bisedime për të sjellë në ekran historinë tragjike të nëndetëses që ngjalli interes global disa javë më parë.
Sipas burimeve, një platformë transmetimi iu ofrua regjisorit të mirënjohur, i cili e ka eksploruar Titanikun me nëndetëse 30 herë, për të treguar historinë në mënyrën e tij unike. Burimi tha se tragjedia e nëndetëses po trajtohet për një nga platformat më të mëdha të transmetimit në botë dhe James është zgjedhja e parë për pozicionin e regjisorit.
“Ai e tregoi historinë e Titanikut me një dhembshuri të tillë, saqë për të duket një hap i natyrshëm ta bëjë këtë”, tha i njëjti burim. Ndër emrat e dëgjuar për t’u konsideruar për rolin e protagonistit janë ylli i Hollivudit Matt Damon dhe komediani Kumail Nanjiani.
Së fundmi në një intervistë për rrjetin britanik BBC, Cameron deklaroi se disa persona nga komuniteti i zhytësve i kishin shkruar një letër OceanGate-it duke thënë se besonin se kompania “po shkonte drejt katastrofës”.
Cameron sugjeroi edhe se kishte një “ironi të tmerrshme” në humbjen e Titanit e ekuipazhit të tij, duke e krahasuar me humbjen e vetë Titanikut në vitin 1912. Tani kemi një tjetër rrënim që bazohet për fat të keq në të njëjtat parime të injorimit të paralajmërimeve. OceanGate ishte paralajmëruar. Nga kompania, shumë ishin larguar nga puna.
Cameron nuk është i pari që ka ngritur shqetësime lidhur me aktivitetet e kompanisë turistike OceanGate. Një letër dërguar OceanGate-it nga Shoqata e Teknologjisë Detare (MTS) në mars të vitit 2018 dhe e marrë nga New York Times theksonte se “qëndrimi eksperimental i miratuar nga OceanGate mund të çojë në rezultate negative, nga të vogla, në katastrofike”.