Jo gjithmonë i zgjedhim njerëzit me të cilët udhëtojmë, por gjithmonë mund të zgjedhim çfarë dëgjojmë. Që nga 14 shkurti i vitit 1998, Top Albania Radio do të hynte në historinë e Shqipërisë si një faqe e re e saj, e revolucionit mediatik-audiovizual, që do të përfaqësohej fillimisht nga kjo radio e më pas nga Top Channel e DigitAlb. Top Albania Radio mori liçensën e parë kombëtare për radiot private, duke hedhur brenda një viti një hap të rëndësishëm në suksesin e saj të padiskutueshëm. Sinjali i saj mbulonte 95% të territorit të vendit, kur radioja shtetërore 60-vjeçare mbulonte vetëm 75%. Kjo radio transmetonte rreth 19 edicione informative flesh dhe muzikë bashkëkohore. Ajo iu imponua të gjitha moshave, për një arsye të thjesht: të rinjtë e gjenin veten aty, ndërsa të moshuarit, sepse donin të ndiheshin të rinj.
Transmetimet eksperimentale nisën që në janar të vitit 1998, ku transmetohej vetëm muzikë. Edhe transmetuesi i parë që mbulonte Tiranën dhe rrethinat e saj, u vendos pikërisht këtë muaj. Më pas, 14 shkurti ishte dita kur nisi transmetimi zyrtar dhe atë ditë, prezantuesja e parë Gerta Heta lançoi tek dëgjuesit numrat e telefonit. Që atë ditë, telefonat e Top Albania Radios nuk kanë pushuar asnjë çast, për t’u bërë pjesë të gjithë nga pak të “Radios me ngjyra në Shqipëri”. 26 vite plot dashuri, energji, muzikë bashkëkohore dhe po ashtu me hite nostalgjike që na rrënqethin edhe sot kur i dëgjojmë.
Ditëlindja e 26-të e Top Albania Radio, përcolli emocione të ndryshme dhe rizgjoi sërish kujtime të paharrueshme tek të gjithë shqiptarët e veçanërisht tek ata që radion e mbajnë gjithmonë ndezur. Top Albania Radio, kudo me ju për 26 vjet e deri në pafundësi…