Tom Ford ka deklaruar së fundmi se me çfarë vështirësie është përballur duke qenë një baba beqar për djalin e tij Jack, që pas vdekjes së bashkëshortit të tij, Richard Buckley. Stilisti në një intervistë të fundit, është shprehur se:
Ka qenë e vështirë pas 35 vitesh, shumë e vështirë. Vazhdoj të mendoj: “Oh, Zot, duhet të telefonoj Richard-in ose duhet t’i dërgoj atij një shënim për këtë.” Dhe ai nuk është këtu. Deri kohët e fundit, Richard ishte aty për të më ndihmuar në mëngjes.
Ford vazhdoi të thoshte se ka qenë një sfidë për t’u përshtatur me rutinën e re, megjithatë ngritja më herët për të bërë të birin gati për shkollë do të thotë se ai e ka një fillim të mirë të ditës. Tom dhe Richard u takuan për herë të parë në një shfaqje mode në vitin 1986 dhe më vonë u martuan në vitin 2014. Duke folur për Revistën “People” në vitin 2016 për ditën kur u takuan për herë të parë teksa ishin në një ashensor, ai tha:
Sa hap e mbyll sytë brenda një muaji ne filluam të jetonim së bashku, ne kemi qenë bashkë që atëherë. Në kohën kur ai ashensor u ul në katin e fundit, mendova: “Ti je i duhuri”. Kjo është. Ishte fjalë për fjalë dashuri me shikim të parë.
Richard vdiq nga shkaqe natyrore pas një sëmundjeje të gjatë në shtator të këtij viti në moshën 72-vjeçare. Buckley lindi në Binghamton të Nju Jorkut dhe u rrit në SHBA, Francë dhe Gjermani. Ai ndoqi Universitetin e Maryland në Mynih. Gjatë viteve të tij të shumta në gazeta dhe revista, redaktorët e tij përfshinin John B. Fairchild, Tina Brown dhe Grace Mirabella, derisa ai u emërua kryeredaktor i ‘Vogue Hommes International’ në vitin 1999.