Bota

Tokës po i afrohet stuhia diellore, jemi shumë pranë pikut!

Siç dhe është paralajmëruar, një stuhi e fortë diellore është gati që të godasë Tokën dhe efektet më të rëndësishme, më së shumti priten ditën e sotme sipas të dhënave të shkencëtarëve.

Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor e agjencisë amerikane NOAA e ka rritur nivelin e parashikimit për stuhinë në G4, e dyta më e larta në shkallë, e cila parashikon ndikime në rrjetin elektrik, sistemet e navigimit satelitor të tilla si GPS, si dhe probleme me satelitët e automjetet hapësinore, përveç probabilitetit më të madh për të qenë në gjendje që të admironi Dritat e Veriut edhe në gjerësi të ulëta.

Stuhia mund të fillojë sot e të vazhdojë nesër, i tha agjencisë së lajmeve ANSA, Mauro Messerotti, profesor i Meteorologjisë Hapësinore në Universitetin e Triestes në Itali.

Aktiviteti diellor do të mbetet intensiv edhe në periudhën e ardhshme. Tani jemi duke iu afruar pikut.

Në fakt, stuhia e fundit G4 ndodhi në më pak se dy muaj më parë, në datën 23 mars të 2024-ës.

Një stuhi diellore ose gjeomagnetike është një çrregullim i fushës magnetike të Tokës, i ndikuar nga grimcat me energji të lartë të emetuara nga Dielli, të cilat e bëjnë shtresën më të jashtme të atmosferës, të ngarkuar elektrikisht.

Për shkak të këtij fenomeni, valët e radios që udhëtojnë në këto zona humbasin energji e kjo si rezultat i përplasjeve më të shpeshta me elektronet. Një gjë e tillë sjell degradimin e tyre apo edhe përthithjen e plotë.

Stuhia në hyrje është për shkak të aktivitetit intensiv të një grupi gjigant njollash diellore, të njohur si AR3664, i cili shtrihet për rreth 200 mijë kilometra, pra afërsisht 16 herë më i madh se Toka.

Po ashtu, është një nga rajonet më të mëdha dhe më aktive të vëzhguara në këtë cikël diellor, i cili filloi në dhjetor të vitit 2019, rreth 5 vjet më parë. Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor të NOAA-së, një divizion i Shërbimit Kombëtar të Motit vazhdon që të monitorojë diellin pas një serie ndezjesh diellore dhe nxjerrjesh masive koronale që filluan më herët këtë javë, në datën 8 maj, pra tre ditë më parë.