Bota

Toka mund të goditet nga një stuhi tjetër e madhe diellore!

Pak ditë më parë dielli lëshoi valën më të madhe të flakës së zjarrtë në afro një dekadë, vetëm pak ditë pasi stuhitë e forta diellore goditën Tokën duke krijuar fenomenin që njihet si “Aurora Borealis” ose dritat veriore, të pazakonta në shumë pjesë të botës. Vala e flakës diellore shkaktohet nga një shpërthim intensiv rrezatimi që vjen nga çlirimi i energjisë magnetike që lidhet me ato që njihen si njolla në sipërfaqen diellore.

Ky është shpërthimi më i madh i këtij cikli 11-vjeçar të diellit. Lajmi i mirë është se kësaj here planeti ynë është jashtë trajektores së valës magnetike, sepse shpërthimi ndodhi në një pjesë të sipërfaqes së diellit në drejtim të kundërt të Tokës. Ndërkaq, së fundmi është bërë gjithashtu e ditur se Toka mund të goditet nga një stuhi tjetër e fuqishme diellore këtë javë, që parashikohet të shkaktojë ndërprerje të komunikimit dhe shfaqje të pabesueshme të dritës veriore.

Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) ka njoftuar se ekziston një shans prej 60% për ndërprerje të komunikimit gjatë gjithë pjesës tjetër të javës. NOAA paralajmëroi për një orë stuhie të fortë gjeomagnetike më 11 maj, kur e njëjta njollë dielli po godiste planetin tonë me dhjetëra rryma plazme energjike.

Observatori i Dinamikave Diellore, i NASA-s, e vlerësoi shpërthimin e ndritshëm të rrezeve X, si më të fuqishmin që nga viti 2005. Bryan Brasher me Qendrën e Parashikimit të Motit Hapësinor në Boulder të Kolorados, pjesë e NOAA-s, tha se ka mundësi që kur shkencëtarët të mbledhin të dhënat edhe nga burime të tjera, të rezultojë që vala e zjarrtë magnetike të ketë qenë edhe më e fortë.