Aktualitet

Tjetërsim prone, SPAK dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun e Himarës, Goro dhe 4 të tjerë!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet e dërgoi për gjykim ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie.

Njoftimi zyrtar: 

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, SPAK i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për dërgimin e çështjes në gjyq, me të pandehur Jorgo Goron, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer 2 herë, dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Po ashtu për gjykim për “Shpërdorim detyre” janë dërguar edhe shtetasit: Jerasimo Bashi, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë; Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë; Vezir Gjikokaj, ish-jurist i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë. Ndërsa shtetasi Stavri Mëhilli, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’’.

SPAK njofton se në përfundim të hetimit paraprak ka rezultuar e provuar se, të pandehurit Jorgo Goro dhe Jerasimo Bashi, në bashkëpunim mes tyre, në dy episode të veçanta, kanë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, në mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Në lidhje me episodin e parë, nga hetimi rezultoi plotësisht e provuar se ish-titullari i Bashkisë Himarë, i pandehuri Jorgo Goro, në bashkëpunim me Drejtorin e DMMT-së pranë kësaj Bashkie, të pandehurin Jerasimo Bashi, kanë dërguar pranë ZVRPP-së Vlorë për qëllime regjistrimi të pasurisë, një shkresë me dokumentacion me të dhëna të rreme, në një kohë që pranë kësaj Bashkie, ky dokumentacion ndodhej i mirëadministruar dhe me të dhëna autentike të pasurisë së ndarë me ligjin 7501, në favor të shtetasit F. M.

Megjithëse në rastin objekt hetimi ka qenë fare e lehtë për ish-zyrtarët e bashkisë Himarë të konfirmonin ose jo vërtetësinë e AMTP-së dhe Formularit Nr. 6, të paraqitur nga i pandehuri Stavri Mëhilli, siç ligji e kërkon, të bashkëpandehurit kanë dërguar një kërkesë për regjistrim të pasurisë me përmbajtje të rreme, por edhe me dokumentacion bashkëngjitur të provuar të falsifikuar.

Në lidhje me episodin e dytë, nga hetimi penal rezultoi plotësisht i provuar fakti se të pandehurit, në bashkëpunim kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të një pasurie krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.

“Madje kësaj pasurie, të pandehurit i kanë dhënë një numër të ri (36/35) të pabazuar në asnjë të dhënë fakti dhe krejtësisht në kapërcim të kompetencave që u njeh ligji. Ky plan rilevimi i konfirmuar nga të bashkëpandehurit ka shërbyer për të gjithë procedurën e zhvillimit të pronës deri në lëshimin e Lejes së Ndërtimit në emër të shoqërisë “AG.TCC” sh.p.k”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Të dyja këto pasuri, duke qenë se provohen të jenë krijuar si pasojë e dokumenteve të falsifikuar dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme të funksionarëve publikë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë vendosur nën sekuestro preventive me vendimin penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjithashtu, i pandehuri Jorgo Goro provohet të ketë konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të parashikuar nga Kodi Penal.

“Nga hetimi penal rezultoi plotësisht e provuar se në pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe totale 81.41 m2, me adresë në Tiranë, aktualisht e regjistruar në pronësi të shtetasit G. S., i pandehuri Jorgo Goro është pronar faktik duke patur mbi të, të drejta dhe interesa pasurore. Nga ana tjetër, referuar Deklaratave të Interesave Private të vitit 2020 dhe në vijim, përpiluar dhe nënshkruar nga i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e subjektit të zgjedhur vendor, nuk ekziston asnjë gjurmë e deklarimit të interesave të tij apo familjarëve mbi këtë pasuri, shpenzime të mundshme për porositjen ose blerjen e tij, të drejta posedimi apo pronësie mbi të. Për këtë shkak, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasuria në fjalë është vendosur nën sekuestro preventive në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet më tej në njoftim.

Në lidhje me të pandehurit Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikokaj, nga hetimi penal ka rezultuar plotësisht e provuar se këta shtetas, në bashkëpunim mes tyre, kanë lëshuar vërtetimin nga dokumentat hipotekorë në emër të shtetasit F. M., duke kryer veprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Në lidhje me të pandehurin Stavri Mëhilli, nga hetimi penal ka rezultuar plotësisht e provuar se ky shtetas ka përdorur më shumë se një herë dy formularë të falsifikuar.

I pandehuri Stavri Mëhilli, provohet gjithashtu të ketë shitur pasurinë e përfituar nga kryerja e veprave penale, duke qenë në dijeni të plotë të prejardhjes kriminale të saj.

Transaksioni është realizuar kundrejt përfitimit financiar dhe transferimi i pasurisë është bërë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, formë objektive kjo e kryerjes se veprës penale.