Bota

Tjetër përpjekje për të eliminuar Trump-in/Ish-presidenti: Jam mirë, nuk dorëzohem!

FBI-ja konfirmon se Donald Trump “duket se dje ishte objekt i një përpjekjeje për atentat” në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridës”. Kjo vetëm nëntë javë pasi kandidati republikan për president i SHBA-ve i mbijetoi një tjetër atentati. Ish-presidenti tha se është mirë dhe jashtë rrezikut.

Agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-ve qëlluan në drejtim të një personi që kishte drejtuar një pushkë drejt klubit, ndërsa Trump luante golf. Gjithashtu mbante dy çanta shpine të varura në një gardh e një kamerë GoPro. Ndërkaq, gjendej deri në 500 metra larg Trump-it, i fshehur mes shkurreve teksa ish-presidenti luante golf. Personi hodhi armën dhe iku me një fuoristradë e më pas u arrestua në një distrikt aty pranë.

Disa media amerikane e identifikuan të dyshuarin si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Hauai, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të organeve të zbatimit të ligjit. Incidenti është zhvillimi i fundit tronditës në një vit fushate të shoqëruar me ngjarje të pashembullta e ndodh pothuajse dy muaj pasi Trump u qëllua gjatë një atentati në një tubim në Pensilvani e një plumb e plagosi në vesh.

Vetëm një javë më pas, presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara.

Në një email drejtuar mbështetësve të tij, Trump shkroi:

Pati të shtëna armësh pranë (meje), por përpara se spekulimet ta dalin jashtë kontrollit, doja që të isha i pari që t’ju thoja: JAM I SIGURT DHE NË GJENDJE TË MIRË! Asgjë nuk do të më ngadalësojë. Nuk do të dorëzohem kurrë!

Agjentët ishin pak përpara ish-presidentit kur vunë re personin me armë zjarri.

Agjentët dhe oficerët e Shërbimit Sekret me karroca golfi, si pjesë e masave të mbrojtjes, sigurojnë zonën para dhe pas ish-presidentit Trump kur ai luan golf. Zakonisht, ata sjellin dhe një automjet të blinduar aty pranë, për ta strehuar me shpejtësi nëse shfaqet një kërcënim.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas e një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah. Masat e sigurisë për kandidatin republikan janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik.