Bota

Tjetër ofensivë e Turqisë kundër militantëve kurdë në Irak!

Ankaraja zyrtare konfirmon se Turqia ka nisur një ofensivë të re ajrore dhe tokësore kundër militantëve kurdë në veri të Irakut. Lajmin e bëri të ditur sot, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Njësitë ushtarake dhe forcat speciale, të mbështetur nga një numër i paspecifikuar i avionëve dhe helikopterëve, janë përfshirë në ofensivën kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK në rajonet Metina, Zap dhe Avashin-Basyan, që gjenden në veri të Irakut.

PKK konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Kjo organizatë qëndron pas shumë sulmeve kundër shtetit turk dhe që datojnë nga viti 1984. Turqia vazhdimisht kryen sulme në Irak, ku PKK ka bazat dhe kampet trajnuese në rajonin Sinjar dhe që gjendet në afërsi të kufirit me Turqinë.

Me sukses, pilotët tanë kanë goditur vendet e strehimit, shpellat, tunelet dhe depot e municionit që i përkasin organizatës terroriste.

Ministri turk nuk dha detaje për numrin e trupave që janë përfshirë në këtë operacion ushtarak, i cili sipas Akarit, nisi mbrëmjen e djeshme.
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë specifikoi se “operacioni filloi pasi u zbulua se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit po planifikonte një sulm të shkallës së gjerë kundër Turqisë”.

Edhe në fillim të shkurtit 2022, avionët luftarakë të Turqisë goditën objektiva të militantëve kurdë, përfshirë kampe trajnimi, vende strehimi e zona ku ruheshin municione në Irak dhe në veri të Sirisë. Ankaraja njoftoi se “shumë terroristë u vranë”.

Ushtria e Irakut i dënoi sulmet ajrore, duke vënë në dukje se “hyrja e Turqisë në zonën ajrore irakiane përbënte shkelje të sovranitetit”. Pala turke nuk dha detaje për numrin e viktimave nga 20 sulmet ajrore në zonën malore të Sinjarit. Kjo zonë, ku jeton minoriteti irakian Yazidi, është nën kontrollin e disa forcave të armatosura dhe grupeve të ndryshme, përfshirë militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.