Një shprehje thotë se nëse arrin të hash një vakt ose të shkosh në kinema i vetëm mund të bësh çdo gjë në këtë jetë. Si për ti provuar vetes se mund të bëj çdo gjë në këtë jetë dhe meqë askush nuk do vinte me mua për të [ri]parë edhe një herë një film që mund ta ketë parë dhjetra herë, javën kur “Titanic” [ri]doli në kinema (3d, remastered) mora një vazo jalapeños për t’i futur kontrabandë në Cineplexx, për t’ia shtuar nachos-ave të tyre me djathë, shpirtin ndër dhëmbë dhe shkova.
“Titanic” edhe pse shumë personave që dashurojnë kinemave mund t’iu duket klishe është një prej filmave që më kanë bërë ta dashuroj kinemanë që kur një pasdite të 26 viteve më parë, në shtëpinë të prindërve të mi u mblodhëm miq e të afërm (prindërit nuk ishin) dhe pamë një version pirat të filmit që ktheu një nga tragjeditë më famëkeqe detare (ne shqiptarët kemi edhe më keq) në një nga historitë më të bukura të dashurisë të të gjitha kohërave, edhe pse e trilluar.
Kjo nuk është hera e parë që “Titanic” shfaqet në 3d, hera e parë ishte në 2017, kësaj here është një ri-masterizim i filmit epik (për të mos hyrë në teknikalitete të kota), një shfaqe e cila bëri shumë para sërish – edhe pse aktualisht një tjetër film i James Cameron është në krye të filmave që kanë arkëtuar më shumë para në histori – “Avatar – The Way Of Water”. Se çfarë ndryshimi ka ky Titanik në krahasim me atë të para dy dekadave e gjysmë nuk di t’ua them. Titaniku është ai që në premierë vendosi rekordin si filmi më i ndjekur në kinema ndonjëherë – 1.8 miliardë dollarë dhe mori 11 Çmime Oscar. Filmi që çimentoi shkëlqimin artistik të Z. Cameron e vazhdon të ngelet ende filmi më i mirë i tij nga të gjitha pikëpamjet.
Dëshira e regjisorit për t’iu rikthyer [krye]veprës së tij herë pas here duket si fiksim i një peshkopi. Kritika ka qënë nga-herë e dhunshme me të – edhe në premierën fillestare. “Titanic” është mbase i vetmi film në botë që është njëkohësisht në listën e ’10 Filmave më të mirë të të gjitha kohërave’ dhe ’10 Filmave më të këqinj të të gjitha kohërave’ (Peter Travers, Rolling Stones). Personalisht nuk kam qënë asnjëherë dakord me këto mendime. Ta quash “Titanic”-un një film gjysma e së cilit është shkruar nga një adoleshent i dashuruar dhe gjysma nga një regjisor horrori, nuk qëndron. Sigurisht ky mbase nuk është filmi më i mirë i të gjitha kohërave – por qëndron lart, shumë lart – kokë më kokë me të tjerët. Nuk ka sesi të mos jetë e lavdërueshme sipërmarrja titanike e një njeriu për të sjellë një film të këtyre përmasave. e me të tillë autenticitet, në një kohë kur shumë gjëra [teknologjike] nuk ekzistonin ende.
Me kaq shumë shikime të filmit – një personazh për të cilin nuk flitet shumë është ai i interpretuar nga Bill Paxton (Brock Lovett), i cili është në një kuptim mishërimi i James Cameron; gjuetari cinik i thesareve që do ti copëzohet zemra prej një varreze në fund të detit e sekreteve magjike që ajo mban me vete.
Dualeti mes maçizmit dhe njeriut me ndjenja empatie në filmat e Cameron ka qënë gjithmonë tipar dallues, asnjëherë kaq i realizuar sa tek Titaniku. Ndjesia e mëmësisë së Ripleyt për Newyt tek “Aliens” (1985), lidhja e ngrohtë e T-800 (Arnold Schwarzenegger) dhe John Connor-it (Edward Furlong) tek “Terminator 2: Judgement Day” (1991) apo kryevepra e tij jo-perfekt “The Abyss” (1989).
Teksa Rose tregon historinë e saj prekëse – Lovett dhe të tijët përgjigjen si inxhinierë më shumë të interesuar për teknikalitete. Rose nga ana e saj nuk është aq e lidhur me objektet dhe atë se çfarë ato bëjnë por se çfarë përfaqësojnë – çfarë thërrasin në kujtimet e saj.
Historia e RMS Titanic, në nivel narrativ është përplasja e një diçkaje të jashtëzakonshme të prodhuar nga dora dhe mendja e njeriut me një diçka të jashtëzakonshme të natyrës. Titaniku vazhdon të jetë sot e kësaj dite tema themelore e shprehisë artistike të regjisorit që e ktheu në një himn të kinemasë botërore – një temë e cila qëndron në themele të filmave që e pasuan – AVATARI për shembull ka të njëjtën përplasje domethënëse në thelb.
Edhe pse jo gjithmonë, Cameron është ndër të paktët artistë që di të përdorë teknologjinë në funksion të sensasionit dhe emocionit. Mënyra se si janë ndërthurur skenat e xhiruara realisht me ato që përfshijnë efektet speciale – me kalimin e viteve (dhe përmirësimin e teknologjisë) vetëm sa janë bërë më të mira. Sa skena të një filmi kanë fuqinë e asaj kur dy protagonistët qëndrojnë në bash-in e anijes masive me perëndimin në sfond, duke u prekur me droje dhe më pas puthur me pasionin e përqafuar nga një portokalle dhe blu të papërsëritshme; pak sekonda më pas kamera tërhiqet si me magji për të parë ri-jetimin dhe përjetimin e Rose-s dekada më vonë.
Janë skena si këto, të shkëlqyera vizualisht, e të mbushura plot emocion që na tregojnë se asgjë nuk zgjat përgjithmonë dhe se çdo gjë mund të kthejë sa hap e mbyll sytë. Një grua e re me jetën para, kthehet në një plakë të rrudhur me sytë e mbushur plot me kujtime, brenda një çasti të vetëm.
“Titanic” në kinema është një shans i ri për ata që dikur nuk mundën ta shihnin aty, por e pëlqyen po aq nga ekrani i një televizori të vogël. Nuk dimë nëse Cameron do ti rikthehet më në të ardhmen – personalisht di vetëm se do ta shihja dhe ri-shija çdo 10 vjet. Por mbase ky jam unë.
“Titanic” Re-Release (Real 3d) vazhdon të shfaqet në sallat e Cineplexx.