Aktualitet Politikë

Tiranë, sot takimi i 18-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri!

Sot në Tiranë zhvillohet mbledhja e Komitetit të Përbashkët mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Katër janë shtyllat kryesore: Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit e korrupsionit; Liria e medias dhe zgjedhjet; Zhvillimi Ekonomik e Turizmi; Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal. Hapja e takimit bashkëdrejtohet nga Toni Gogu, në cilësinë e kryetarit të delegacionit të Kuvendit e Marco Tarquinio, drejtues i atij të Parlamentit Europian.

Partia Demokratike bën të ditur se ka kritikuar draftrezolutën, duke bërë edhe propozime për situatën në Shqipëri. Siç njofton grupi demokrat, opozita u ndal te respektimi i shtetit ligjor dhe mospërdorimi politik i drejtësisë. Në këtë njoftim thuhet:

Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e maxhorancës duke iu referuar rastit “Xhaçka” por edhe ligjeve të tjera të rrëzuara nga Kushtetuesja por që shumica parlamentare nuk reflekton ndryshimet, është një tjetër çështje e përfshirë në propozimet e deputetëve të PD-së. Këto qëndrime të socialistëve dëmtojnë rëndë parimet kushtetuese dhe demokratike të balancës mes pushteteve.

Opozita ngre shqetësim të madh për lidhjen mes politikës dhe krimit të organizuar, që përdoret si mekanizëm në zgjedhje, siç treguan edhe përgjimet e fundit të SKY/ECC për listën e Durrësit, si dhe mungesën e vullnetit politik për miratimin e një Kodi Zgjedhor konsensual e që përputhet me rekomandimet e OSBE-ODIHR/it, siç parashikohet në planin e negociatave.

Deputetët demokratë i bëjnë thirrje maxhorancës që të adresojë me prioritet çështje kritike si keqpërdorimi i Buxhetit të Shtetit për të favorizuar partinë në pushtet, shfrytëzimi i resurseve shtetërore për të cënuar zgjedhjen e lirë të votuesve dhe përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve përmes sistemit të patronazhit gjatë zgjedhjeve. Këto praktika dëmtojnë besimin e publikut dhe minojnë integritetin e procesit demokratik në Shqipëri.

Opozita shpreh shqetësim të thellë për Komisionin Parlamentar të Posaçëm për “Fuqizimin e Reformave për Qeverisje të Mirë, Sundim të Ligjit dhe Antikorrupsion për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” i cili, sipas saj, “u krijua në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus të gjerë politik”.

Integrimi nuk mund të jetë proces përjashtues, por një proces gjithëpërfshirës, ku opozita duhet të ketë një rol themelor.

Opozita dënon kalimin e ligjeve nga qeveria që cënojnë mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit, duke paralajmëruar për dëme të pariparueshme në ekosisteme të rëndësishme e monumente historike.

Të tilla veprime rrezikojnë qëndrueshmërinë mjedisore e trashëgiminë kulturore për gjeneratat e ardhshme.

Në përfundim të rezolutës, PD-ja bën thirrje për një dialog të mirëfilltë politik që të nxisë stabilitet dhe progres, duke kërkuar nga të gjitha palët politike që të shmangin përdorimin e mekanizmave shtetërorë për qëllime politike e të respektojnë plotësisht rolin e opozitës dhe të deputetëve të saj.