Aktualitet

Tiranë, policia sekuestron pasuri 750 mijë euro nga veprimtari kriminale!

Policia e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 750 mijë euro, që dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari. Në kuadër të operacionit të koduar “Immediate”, u ekzekutua vendimi i Gjykatës Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O.H., 37 vjeç dhe I.H., 41 vjeçe, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete. Materialet i kaluan prokurorisë.

Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”.

Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Prokuroria e Tiranës sekuestroi 6 prona dhe automjetet e shtetases I.H., pasi dyshohet se janë të vëllait të dënuar në Angli. Organi i akuzës së kryeqytetit njoftoi se në kuadër të hetimeve mbi dyshimet për shtetasen I.H., arriti në konkluzion se pasuritë e kësaj shtetase dhe familjarëve të saj janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Shtetasja në fjalë, brenda një periudhë një mujore ka përfituar në llogarinë e saj vlerën 180.000 euro cash ose nëpërmjet transfertave bankare, nga ish-kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt. Nga fondet e kredituara në llogari, vlera 160,000 euro është transferuar nga shtetësja I.H në llogarinë e noterit, me qëllim blerjen e një pasurie të llojit apartament. Ndërsa ka në pronësi edhe pesë prona të tjera të paluajtshme dhe 6 automjete.

Prokuroria provoi se shtetasja I.H., e punësuar prej vitit 2011 në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, me një pagë bruto 61.000 lekë, nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ndërkohë, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, informoi se: Departamenti për marrëdhëniet Ndërkombëtare ka njoftuar se Interpol Mançester kërkon informacion për verifikimin e shtetasit shqiptar O. H., pasi është arrestuar në Angli për veprën penale shkelje ligjit për narkotikët. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas është vëllai i shtetases I.H.

Sa më sipër, duke ju referuar kontratave noteriale të blerjeve të pasurive të paluajtshme dhe pasurive të luajtshme (automjeteve relativishit të shtrenjta) dhe huadhënieve të vlerave monetare, vërehet se këto janë nënshkruar pothuajse të gjitha në harkun kohor të viteve 2022-2024, mbas arrestimit të shtetasit O.H., për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Nga sa më sipër dhe nga analiza në tërësi e provave dhe akteve të administruara nga hetimi i këtij procedimi penal, arrihet në konkluzionin se pasuritë e paluajtshme të shtetasve I.H., O.H dhe familjarëve të tyre janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në të cilat ka qenë i përfshirë shtetasi O.H.