Aktualitet

Tiranë, ngjyrat e flamurit LGBTQI+ “veshin” ambasadën amerikane!

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT).

Në bashkëpunim me Open Mind Spectrum Albania, këtë javë, Ambasada Amerikane në Tiranë organizoi një aktivitet për të rinjtë, me fokus të drejtat e njeriut.

Pas shfaqjes së filmave me metrazh të shkurtër të prodhuar nga aktivistë dhe artistë të rinj, studentë, profesorë e anëtarë të komunitetit LGBTQI+ u angazhuan në një diskutim të hapur dhe gjithëpërfshirës mbi rëndësinë e përpjekjeve bashkëpunuese nga të gjitha segmentet e shoqërisë për t’i dhënë fund urrejtjes, diskriminimit, si dhe dhunës ndaj individëve LGBTQI+ e të tjera komuniteteve të pakicave e të margjinalizuara.

Anëtarët dhe përfaqësuesit e komunitetit PRO LGBTQI+ kërkojnë që nëpër shkolla të flitet më shumë dhe më hapur për orientimin seksual tek fëmijët e nxënësit për të minimizuar sa më  shumë gjuhën e urrejtjes, bullizmin apo diskriminimin.

Ekspertja ligjore në aleancën LGBTQI+, Dea Nini tha se diskriminimi haset më shumë te nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazet nga pyetësorët e kryer vitet e fundit, ndaj si zgjidhje shohin trajnimin e mësuesve për të përçuar zërin e tyre te nxënësit.

Të paktën nga pyetësorët e katër viteve të fundit që ne kemi bërë, mbi 400 pjesëmarrës, mbi 48% të rasteve diskriminimi kanë ndodhur për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor në ambientin edukues, në shkollat 9 vjeçare dhe gjimnaze. Nuk flas për subjekte universitare. Ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë muajin e fundit është që t’i adresojmë mësuesit përmes sindikatave të tyre, ku jemi në bisedime për të organizuar një trajnim në nivel stafi arsimor. Janë trajnuar psikologë shkollash, punonjës socialë që janë në kontakt me mjediset e shkollave për të orientuar bullizmin, gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin.

Aktiviteti, pjesë e projektit “Youth 4 Human Rights”, u mbështet nga programi i Komisionit për Demokraci të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në shenjë solidariteti, godina e selisë diplomatike të Uashingtonit në Tiranë, u “vesh” me ngjyrat e flamurit të komunitetit LGBTQI+.